Afërdita Nuhiji ndër regjisoret e para në Maqedoni: Duke qenë vetvetja, mund ta ndryshojmë mentalitetin

E lindur më 11 shtator të 1995, Afërdita Nuhiji arsimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Kërçovë, ndërkaq studimet i vijon në Universitetin e Tetovës. Si pjesë e gjeneratës së parë të studimeve në regji të teatrit, dhe njëra nga dy regjisoret e para shqiptare në Maqedoni, nuk do ta ketë të lehtë rrugëtimin e saj artistik. 

Portalb: Cilat janë përparësitë e gjeneratës suaj?

Mendoj që përparësitë qëndrojnë në atë se jemi gjenerata e parë shqiptare në Maqedoni dhe se kemi pasur profesorë si Mehmet Xhelili dhe Qëndrim Rijani. Fal tyre, ne do ta kemi më lehtë depërtimin dhe të njihemi në opinion. Ne do të ishim të lumtur nëse do të ketë gjenerata edhe pas nesh, por gjithçka varet se nga kush do të udhëhiqen ata.

 “Kur gjërat bëhen me dashuri dhe përkushtim, vështirësitë tejkalohen”, thotë Afërdita Nuhiju derisa flet për statusin e femrave në artin e Maqedonisë.

Të qenit e lindur në Kërçovë, vend që nuk ka as teatër, por ka shumë artdashës dhe artistë, për Afërdita Nuhijin është përgjegjësi që i jep rolin e modelit, dhe i nxitë ëndrrën që të hedh në skenë shfaqje me aktorë kërçovarë.

Portalb: Kërçova nuk ka as edhe një teatër, si u bë që ti të fusesh në regji?

Një prej arsyeve kryesore që unë përzgjodha këtë drejtim, është dashuria e madhe për të bërë art, për të qenë ndryshe nga të tjerët, që edhe nëse nuk merrem me këtë punë, unë përsëri do të vazhdoj të jem ndryshe. Kjo vjen sepse të bërit art, do të thotë të nxjerrësh gjithçka nga vetja, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Por, nuk duhet harruar se skena na e jep edhe mundësinë që t’i tregojmë audiencës, se vetëm duke qenë vetvetja, ne mund të ndryshojmë mentalitetin, bashkërisht dhe me punë, edhe pse ajo mund të jetë vonë.

Ëndrra – të hedh në skenë shfaqje me aktorët kërçovarë

“Ëndrra? Ëh, ka shumë. Vetëm të jem në skenë është ëndërr. Do të kisha dashur të hidhja në skenë “Norën” e Ibsenit, vepra të Çehovit, “Budallenjtë” e Neil Simonit. Nuk ka rëndësi teatri, sa ajo se dëshiroj të punoj me kolegët e aktrimit dhe aktorët e Kërçovës”, rrëfen ëndrrën e saj si një regjisore e ardhshme, Afërdita Nuhiji.

Portalb: Pse duhet një teatër ta pranojë shfaqjen tënde?

Një teatër duhet ta pranojë shfaqjen time, jo pse unë mund të jem regjisore e para, por për shkak se dua të bie në pah puna ime, e cila me ndihmën e aktorëve do të mundësojë që të arrihet shfryrja emocionale te publiku, duke i përballë ata me pasqyrat personale.

Studimet e regjisë – reminishencë fëmijërore

Kur jam futur në fakultet, kam pasur një reminishencë të fëmijërisë, kur veç më pata krijuar një film me fëmijët e lagjes sime, e që ndoshta kjo ishte regjistruar në nënvetëdijen time, dhe ka bërë që unë sot të studioj regjinë e teatrit. Por inskenimi i parë tekstor ka qenë vepra “Menaxheria e qelqtë” e autorit Tennesse Williams, pasi që nisa studimet.

“Arti është mënyra e njohjes së artistit me njerëzit, sepse jeton me të vërtetën. Nëpërmjet artit i kam kuptuar gjërat, që më parë nuk kam pasur mundësi t’i kuptoj. Arti të jep mundësi për ta dashur jetën”, shprehet Afërdita Nuhiji plot dashuri për artin.

Arti flenë te gjithsecili prej nesh

Afërdita Nuhiji vazhdon rrëfimin për rëndësinë e studimit në regji dhe art: Arti flenë te gjithsecili prej nesh dhe secili duhet të mundohet që ta zgjojë atë, ta ushqejë sa mundet dhe duhet, ngaqë ne i duhemi shoqërisë, qofshim si regjisorë apo aktorë, piktorë apo edhe muzikantë.

“Më pëlqen të eksperimentoj me llojet e shfaqjeve, por dëshiroj që në momentin e  largimit të publikut nga salla e teatrit, tek ai të ngritën dilema dhe parashtrohen pyetje që janë nxitur në shfaqje”, me këtë qëllim për të ardhmen prej regjisoreje, përfundoi protretin e saj, Afërdita Nuhiji.

Afërdita Nuhiji, studente e gjeneratës së parë të regjisë në UT

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button