Në “kiametin” e Lindjes së Mesme: Pse shkojnë? (1)

Gjithçka filloi në Afrikën veriore por pasojat më të rënda është duke i përjetuar Lindja e Mesme. Më 17 dhjetor 2010 i riu tunizian Muhamed Buazizi, shitësi mobil i frutave, në shenjë proteste kundër konfiskimit të karrocës së tij nga organet e rendit, dogji veten, akt ky që nisi “Revolucionin Jasemin” që u përhap në të gjithë regjionin, Libi, Egjipt, duke kaluar edhe në Azi, Siri, Jemen… Kjo frymë revolucionare, e përhapur përmes rrjeteve sociale bëri emër si “Pranvera Arabe”, “Revolucioni i Facebookut”, ishte fatale, për miliona njerëz, për shumë qytete historike, që bëri shkrumb e hi shumë vatra, që solli bisedat për apokalipsën apo kiametin. Dhe, refleksionet e kësaj pranvere nuk mbetën vetëm në botën arabe, pasojat e dhimbshme të saj vazhdon t’i ndjejë bota për tetë pranvera, një pjesë arritën madje edhe deri tek ne, në botën shqiptare.

Më 7 gusht të këtij viti me arrestimitn e shtatë të rinjve shkupjanë nga MPB nën pretekstin e “pjesëmarrjes në veprimtari xhihadiste” sërish u aktualizua çështja e të rinjve shqiptarë të përfshirë në konfliktet e Lindjes së Mesme, gjegjësisht në Siri dhe në Irak, çështja e aktivizimit të antarëve të familjeve tona në zona të largëta për ne, nën flamurin e një kauze “të kthjellët” për ata individë dhe diskutabile për komunitetin fetar zyrtar, opinionin publik, analistët, prindërit etj. Deri tani, kjo temë, që vazhdon të jetë “e nxehtë”, më tepër është rrahur nga aspekti i sigurisë, dhe shumë pak – ndoshta aspak – nga këndi i psikologjisë dhe sociologjisë që merren me psikën dhe kushtet sociale që prodhojnë një mobilitet të tillë horizontal. Nëse ndalemi ta analizojmë këtë internacionalizëm xhihador apo xhihadizëm global do vërejmë se bëhet fjalë për një thirrje, qark apo lidhje shpirtërore që bën për vete militantë nga e katër anët e globit, besimtarë të lindur, persona të konvertuar në islam, madje edhe ngjyrëbardhë e syklatër. Në rregull, po cilat janë shkaqet e zgjedhjes së “rrugës së vdekjes”/parajsës? Në vazhdim do mundohemi t’i zbërthejmë disa prej tyre:

  1. Së pari, elementi psikologjik dhe i empatisë; ndjesia fetare, besimi apo doktrina e një kategorie juvenile të ndikuar emocionalisht nga pamjet trishtuese nga zonat e konfliktit. Mediat dhe rjetet sociale që përcjellin vazhdimisht fotografi dhe video-regjistrime që shfaqin bomba dhe mortaja të hedhura në zonat civile, vendbanime fantazmë, gjymtyrë të këputura, lotë nënash, pleqsh e fëmijësh, krimet më çnjerëzore madje edhe fëmijëve (një sekuencë : mbulimi me dhe për së gjalli me dozer i fëmijëve). Kultura e solidarizimit me myslimanët kudoqofshin ata, me çdo pjesëtar të ummetit ka bërë që të merret vendimi për t’i dalë karshi dhunës, krimit, të pavërtetës, tagutit, Asadit dhe ushtrisë së tij që e krahasojnë me faraonin, që «duhet të ketë Musatë që do ta shkatërrojnë perandorinë e tij djallëzore».
  2. Elementi kulturologjik: Kultura e sipërfaqësore fetare, kultura e kontsruktuar apo «falur» nga të tjerët, jo e ndërtuar vetanakisht, me mund individual. Këta të rinj ende të pamaturuar fetarisht kanë një koncept për xhihadin që ndërlidhet vetëm me kuptimin e tretë të tij, jo si përpjekje intelektuale dhe luftë kundër nefsit (pasioneve), por si luftë klasike që të shpie në parajsë, në xhenetin e premtuar. Njeriu më së tepërmi gabon kur ka njohuri të pakta për një gjë, kur emocionet i vë para arsyes, kur ka një vetëperceptim kulturor të dobët.
  3. Elementi i sociologjisë së fesë: Indolenca e teologjisë zyrtare, «gjumi» i të cilës zëvendësohet nga imamët alternativë, të dhomave, parqeve, të kurbanëve (akikave), të skutave të ndryshme ku predikohet një islam tjetërfare, jashtë atij të vijës kryesore tradicionale, një islam i vijës së skajit. Ky islam që nuk ka sens për vendoren, për kontekstin, është produkt i një klike hoxhallarësh të shkolluar në mënyrë alternative, me medrese e pa të, shpesh pa studime të larta, që kanë përvetësuar një ideologji specifike, që i bën të dallueshëm nga gjithë mjedisi dhe besimi. Këta veten e quajnë besimdrejtët, ndërsa të tjerët, madje edhe haxhiun e shtëpisë dhe hoxhën e mëhallës i qesin në kategorinë e injorantëve (xhahilëve) apo të të devijuarve, që tekfirizmin (ekskomunikimin) e kanë si princip doktrinor. Këta «peshkatarë të shpirtrave njerëzorë», përmes takimeve ballë për ballë dhe rrjeteve sociale ia kanë dalë të bëjnë për vete një numër të konsiderueshëm të rinisë shqiptare. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button