Disa fakte interesante rreth kadmiumit, ja pse ju duhet

Metali i bardhë-blu i njohur si kadmium është i përpunueshëm dhe mund të pritet lehtë me thikë. Është përcjellës shumë i mirë i elektricitetit dhe shpesh përdoret në bateri. Kadmiumi dhe solucionet e përbërësve të tij janë toksikë dhe duhet patur kujdes gjatë përdorimit të tij, shkruan Bota.al.

Fakte:

Numri atomik (numri i protoneve në bërthamë) 48, simboli në tabelën periodike të elementëve Cd, masa atomike (masa atomike e atomit) 112.411, densiteti 8.69 gr për kub centimetër, faza në temperaturën e dhomës, solide, pika e shkrirjes 321.07 gradë C, pika e vlimit 767 C, numri i izotopeve 48.

Historia:

Friedrich Strohmeyer, një kimist gjerman është ai që e zbuloi në vitin 1817 sipas Dartmouth University. Kadmiumi është gjetur në oksidin e zinkut që përdorej si ilaç topik në to kohë. Strohmeyer po inspektonte farmacitë në Gjermani dhe zbuloi se disa farmaci në Hildesheim përdornin karbonatin e zinkut në vend të  oksidit të zinkut në ilaçet e tyre topike. Ai mori disa mostra me karbonat zinku për t’i ngrohur dhe për ta kthyer në oksid zinku dhe vuri re se disa mostra merrnin ngjyrë të verdhë.

Këto mostra u testuan për përmbajtje hekuri dhe plumbi, meqë ata ishin shkaktarët e ndryshimit të ngjyrës. Nuk u gjet asnjë nga këto  elemente dhe nga një kërkim i mëtejshëm ai gjeti se kishte gjurmë të një elementi të panjohur. Ai izoloi metalin e ri dhe sugjeroi emrin cadmia për këtë element të ri sipas emrit latin për calamine (karbonat zinku). Kimisti gjeti kadmium edhe në shumë përbërës ziinku duke përfshirë disa mostra që supozoheshin të ishin zink i pastër. Ai vlerësoi se kadmiumi gjendet në 0.1 dhe 1 % nga zinku i pastër dhe në përbërësit e zinkut. Toksiciteti i tij u zbulua gjatë revolucionit industrial në mesin e shek.

XIX kur nxjerrja e kadmiumit dhe e metaleve të tjerë u shtua. Në të njëjtën kohë kadmiumi përdorej në disa ilaçe dhe ata që i pinin këto përfundonin të helmuar dhe kjo ishte arsyeja pse Strohmeyer dhe të tjerët ishin dërguar për inspektim në farmaci.

Në vitin 1945 studimet e kryera në Japoni rreth kadmiumit, tek rezidentët e provincës Toyama që ishin sëmurur dhe kishin dhimbje në kocka dhe artikulacione, gjetën një nivel të lartë të kadmiumit që ishte futur në ujin e përdorur për të vaditur të korrat nga zonat në afërsi të minierave të zinkut. Kur të korrat, sidomos orizi merreshin së bashku me nivelet e larta të kadmiumit tek popullata metali shkaktonte uljen e nivelit të kalçiumit tek kockat dhe densiteti i kockave zvogëlohej mjaftueshëm sa në disa raste një lëvizje e thjeshtë shkaktonte fraktura kockore.

Burimet e kadmiumit:

Kadmiumi nuk gjendet me bollëk në natyrë. Greenockite është i vetmi mineral dhe për pasojë që mbart këtë metal dhe gjendet në sasi të vogla të tilla si sphalarite, ZnS. Minerale të kadmiumit janë gjetur në Kolorado, Ilinois, Misuri, Uashington dhe Utah ashtu si dhe në Bolivi, Guatemala, Hungari dhe Kazakistan. Sot kadmiumi prodhohet në vendet ku zinku rafinohet sesa aty ku nxirret. Prodhuesit e kadmiumit më të mëdhenj përfshijnë Kinën, Japoninë, Korenë, Meksikën dhe SHBA, Hollandën, Indinë dhe Britaninë, Perunë dhe Gjermaninë.

Përdorimet e kadmiumit:

Kadmiumi përdoret në bateritë e karikueshme me nikel-kadmium si dhe në disa pajisje si telefonë celularë, mjete energjie pa kabllo, kamera, kompjutera si dhe në furnizues energjie dhe dritash. Përdoret gjithshtu në shufrat e  reaktorëve  bërthamorë për të mbajtur reaksionin bërthamor nën kontroll për shkak të aftësisë së tij për të thithur neutronet. Përdoret në pigmente 8%, 7% në veshje metalesh, 1% si stabilizues i plastikës dhe 1 % në metale jo hekur, në pajisje fotovoltazhike dhe përdorime të tjera.

Është përdoruar si pigment në të kuqen, portokallinë dhe në të verdhën në piktura për shkak të ndriçimit të këtyre ngjyrave natyrale. Vincent van Gogh e përdori kadmiumin në piktura në variete të së kuqes, portokallisë dhe të verdhës. Gjermania në Luftën e Parë ishte furnizuesi kryesor i këtij metali. Është toksik dhe çon në helmim nga kadmiumi.

Shëndeti dhe impakti mjedisor:

Kadmiumi ka efekte anësore mbi shëndetin duke përfshirë dhimbje stomaku, të vjella, diarre, fraktura kockash, çrregullime psikologjike, kancer dhe dëmtime të sistemit riprodhues, sistemit qëndror nervor, atij imunitar dhe mundësisht në ADN. Kafshët kryesisht dhe njerëzit ekspozohen ndaj kadmiumit përmes ujit dhe duhanit, ata që punojnë direkt me të ekspozohen përmes frymëmarrjes.

Ushqime si gjethet jeshile, patatet, gruri, kikirikët, soja, farat e lulediellit dhe gjethet e duhanit përmbajnë nivele të larta të kadmiumit nga 0.05-0.1 mg kadmium për kg prodhim. Nivele prej 1.58 mikrogramë kadmium për litër gjak janë gjetur në disa grupe duhanpirësish. Kadmiumi përqendrohet në veshka dhe mëlçi dhe mund të mbetet për shumë vite dhe eliminohet ngadalë përmes urinës dhe feçeve.

Mbetjet e kadmiumit nga industritë përqendrohen në tokë, me sasi të vogël që depërton në ajër përmes djegies së mbetjeve të karburanteve si dhe në ujëra përmes mbetjeve industriale. Kadmiumi mund të hyjë në ushqim përmes bimëve që e thithin nga toka. Organizmat që jetojnë në këto sipërfaqe si krimbat janë shumë të ndjeshëm nga ky helmim, i cili prek të gjithë ekosistemin e kësaj toke. Në det sidomos ato që jetojnë me ujëra të rrjedhshëm duke përfshirë midhjet, karkalecët, aragostat dhe peshkun janë të ndjeshëm ndaj këtij helmimi.

Kërkime:

Po zhvillohen kërkime sesi ndikon ky metal në shëndet, përveç kancerit të sipërpërmendur ka edhe të dhëna që lidhen me obezitetin, çka mund të çojë në sëmundje të tjera si diabeti tipi 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare. Studime të tjera e lidhin edhe me alterime të ADN-së sidomos gjatë ekspozimit të periudhës prenatale. / bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button