Thaçi kërkon të merren masa ndaj neglizhuesve të rastit të vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të merren masa ndaj neglizhuesve të rastit që çoi në vrasjen e një nëne dhe të bijës së saj në Brekoc të Gjakovës.

Mbrëmë, në Gjakovë burri kishte vrarë me armë zjarri bashkëshorten dhe të bijën. Ndërkaq, Policia ka bërë të ditur se para vrasjes së rëndë, viktima kishte raportuar në polici për kërcënimin që i kishte bërë i dyshuari, por që policia nuk ka arritur të lokalizojë të dyshuarin në asnjë formë, madje as përmes telefonit, njofton Koha.net.

Tani Thaçi ka kërkuar të merren masa ndaj atyre që nuk e parandaluan këtë krim duke thënë se sigurua e qytetarëve duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve.

“I tronditur nga akti makabër në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj. Kërkoj të merren masa ndaj atyre që neglizhuan rastin, duke mos parandaluar krimin. Siguria e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve tona”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Vrasjen e dyfishtë e ka dënuar edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

“Mbrëmë, akti makabër në Gjakovë, ku u vranë nëna dhe bija e saj, është tronditje për të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit. Si nënë, grua, qytetare e këtij vendi dhe Ministre e Qeverisë së Republikës, e dënoj fuqishëm këtë akt.

Ky rast dhe të tjera raste që kanë ndodhur në të kaluarën, duhet të ngjall ndërgjegjësimin për secilin qytetar dhe bartës të përgjegjësive institucionale, duke i thënë stop vrasjes dhe krimit ndaj gruas, ndaj fëmijës. Ky krim është krim ndaj familjes dhe vlerave familjare të shoqërisë sonë. Pas këtij akti kriminal, veprimet kundër kësaj dukurie të tmerrshme të krimit në familje, duhet të jenë të fuqishme si përgjigje ndaj çdo krimineli që çon dorë kundër gruas, fëmijëve dhe dhunës në familje në përgjithësi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button