Suspendohen tre mjekë në QKUK, nuk ishin në vendin e punës

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë suspenduar tre mjekë pasi që gjatë inspektimit që është bërë nëpër klinika, ata nuk kanë qenë fare në vendin e punës. Me këtë rast, edhe tre mjekë të tjerë së bashku me dy infermierë kanë dalë në Komision Disiplinor, transmeton Telegrafi.

Këtë e ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook, i cili ka thënë se mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dike, prandaj askush nuk do të falet.

Postimi i plotë i ministrit Ismaili:

“Porsa u njoftova nga Bordi i SHSKUK-së, se gjatë një inspektimi, të cilin e ka bërë drejtori i këtij institucioni Basri Sediu, gjatë natës së djeshme, në disa klinika nuk i ka gjetur fare në vendin e punës disa mjekë dhe infermierë. 

Si rrjedhojë, 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor përfshirë edhe 2 infermierë.

Duke e mirëkuptuar punën e vështirë dhe lodhjen e madhe që mund ta kenë gjatë ushtrimit të profesionit, mungesa në vendin e punës nuk e arsyeton askënd.

Mungesa e tyre në vendin e punës mund të jetë humbje e madhe për dikë. Ne po punojmë çdo ditë që të përmirësojmë kushtet për personelin mjekësor në vend, siç bëmë ditë më parë duke rritur pagat e kujdestarive për ta, por çdokush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme karshi punës dhe qytetarëve tanë, nuk e meriton të jetë aty.

Këtë sjellje nuk e meritojnë mijëra profesionistë shëndetësorë, të cilët e bëjnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi, që të njollosen nga raste të tilla. Prandaj, në këto situata, nuk do të ketë kompromis dhe askush nuk do të falet”, ka shkruar Ismaili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button