BE, Franca, Gjermania dhe Britania deklaratë të përbashkët për Iranin

Në një deklaratë të përbashkët nga Bashkimi Evropian (BE), Franca, Britania dhe Gjermania, theksohet se janë të vendosur të mbrojnë kompanitë evropiane që kanë tregti të ligjshme me Iranin, transmeton Anadolu Agency (AA).

BE-ja dhe ministrat e jashtëm të tre vendeve kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore e quajtur Plani i Përbashkët i Veprimit (KOEP), e nënshkruar më 14 korrik 2015 në Vjenë të Austrisë mes Iranit dhe vendet P5 + 1 (SHBA, Kinë, Rusi, Britani, Francë dhe Gjermani) dhe e cila hyri në fuqi më 16 korrik 2016, si dhe në lidhje me vendosjen në veprim të fazës së parë të sanksioneve që do të zbatohen ndaj këtij vendi.

“Jemi të vendosur të mbrojmë kompanitë evropiane që kanë tregti të ligjshme me Iranin në përputhje me ligjin e BE-së dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë duke u shprehur shqetësime të thella nga vendimi i tërheqjes së SHBA-së dhe vendosjes në zbatim të sanksioneve.

Në deklaratë theksohet se që nga dita e nesërme do të vihet në zbatim “Legjislacioni për Parandalim” i BE-së i cili është përditësuar me qëllim për të mbrojtur kompanitë evropiane që mund të ndikohen nga këto sanksione.

Ndër të tjera thuhet se Irani ka zbatuar kushtet e KOEP ashtu sikurse është theksuar edhe në 11 raportet e përgatitura nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (UAEA). Gjithashtu thuhet se “Shpresojmë që Irani të vazhdojë të zbatojë plotësisht të gjitha përgjegjësitë në kuadër të KOEP”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se kjo marrëveshje është një garanci e sigurisë që ka një rol kyç për paqen e Evropës, rajonit dhe botës.

“Mbrojtja e marrëveshjes bërthamore të bërë me Iranin është një çështje në lidhje me respektimin e marrëveshjeve dhe sigurinë ndërkombëtare”, theksohet në deklaratën ku nënvizohet se do të vazhdojnë të punojnë me Iranin palët që kanë nënshkruar KOEP dhe vendet e treta që mbështesin marrëveshjen.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte njoftuar më parë tërheqjen nga marrëveshja bërthamore të arritur me Iranin dhe se ndaj tij do të vendoseshin në zbatim sanksionet.

Pas vendimit të Trump, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi se paketa e parë e sanksioneve ndaj Iranit do të nisë me 6 gusht dhe paketa e dytë me 4 nëntor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button