Gjermania djeg Greqinë

Gjermania e ka shkatërruar Greqinë në çerekfinalen e dytë të Euro 2012, duke mposhtur fqinjin tonë jugor me rezultat të thellë 4:2. Pjesa e parë filloi qetë, me Loew që bëri ndryshimet përkatëse në formacion. Mario Gomez filloi ndeshjen në pankinë, kurse grekët filluan sfidën pa kapitenin e suspenduar Karagounis.
 
Gjermania pas pesë minutave të para të lojës fillon të bëjë presion. Është tentimi i Khediras ai  që  vuri në sprovë portierin Sifakis, i cili me këtë rast u lëndua.
 
Sifakis vazhdoi takimin, por kokëçarjet për të vazhduan, pasi ishte Klose ai që përpak nuk arriti të kalojë në epërsi Gjermaninë pas 20 minutave lojë dhe tentimet e gjermanëve vazhduan edhe më tej me Ozil dhe Reus, që dështuan të gjejnë portën.
 
Grekët nga ana tjetër u mbyllën sikurse në Termopilet ndaj persianëve, por përkundër kësaj, rrezikshëm me një goditje u shfaq Sotir Nini.
 
I lodhur nga mbrojtja e ngjeshur greke, shpërtheu kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, i cili nga distanca me një goditje fantastike fotografoi portierin Sifakis për 1-0 (39′) dhe epërsinë e Gjermanisë pas pjesës së parë.

Pas pjesës së parë të ngurtë, gjermanët finalizuan gjithçka në pjesën e dytë. Sidoqoftë, u desh që Georgios Samaras të realizojë një gol për 1-1 (55’), në mënyrë që gjermanët të ndizen.
 
Por, vetëm pas gjashtë minutash një asistim të bukur në zonë e shfrytëzoi Sami Khedira për 2-1 (61’). Për mrekulli me kokë realizoi Miroslav Klose (68’) për 3-1.
 
Gjermania vazhdoi me presionin dhe nuk u ndal. Marco Reus me një goditje të fuqishme (74’), ia shkatërroi jetën portierit Sifakis, i cili edhe ashtu nuk ishte kërkah.
 
Në fund nga penaltia për 4-2 realizoi Salpingidis, por kjo nuk ndikoi asgjë në rezultatin përfundimtar.
 
Në vazhdim rezultati mbeti i pa ndryshuar dhe Gjermania mbylli me sukses ndeshjen me rezultat 4-2.
 
Gjermania në gjysmëfinale takohet me fituesin e duelit klasik, nga përballja Angli – Itali. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button