Ç’na pret deri në ditën e verdiktit final?

Me shpalljen e #referendumit, Maqedonia nisi procesin më të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Zgjidhja që është vënë para nesh, qytetarëve të saj, mund të trajtohet në shumë aspekte politike, ekonomike apo sociale dhe për këtë do të kemi plot dy muaj për t’i përballur argumentet. Por në esencë, përballja është në mes të kaluarës dhe të ardhmes, në mes të izolimit dhe të integrimit në institucionet më të fuqishme politiko-ekonomike, në mes sistemit të oligarkisë autoritare dhe të demokracisë funksionale.

Por ç’na pret deri në ditën e verdiktit final? 

Ta themi qartë, suksesi i këtij referendumi nuk i shkon përshtat Rusisë dhe këtë e ka bërë të ditur drejtpërdrejtë në disa raste përmes Ministrisë së saj për punë të jashtme dhe Ambasadës në Shkup. Duke parë trendin global të ndërhyrjes ruse në proceset zgjedhore do të ishte naive të mendojmë që ajo nuk do të tentoj të minoj përpjekjet për tu bërë pjesë e strukturave Euro-Atlantike, e posaçërisht pjesë e NATO-s.

Në një nga Raportet e fundit të Institutit për Hulumtime të Politikës së Jashtme (shih linkun e bashkëngjitur), analizohen tendencat e fundit të ndërhyrjes  dhe shtrirjes së influencë ruse përmes teknikave të mirënjohura të ndikimit në Mal të Zi, mes tyre edhe përmes dezinformimit.  Raporti konkludon se edhe përskaj dështimit të përpjekjeve Ruse për të bllokuar integrimin e Malit të Zi në NATO, përpjekjet vazhdojnë përmes një strategjie të re, konkretisht ‘’përmes nxitjes së ndarjeve politike dhe etnike për të destabilizuar Malin e Zi dhe për të parandaluar integrimin e mëtejmë në strukturat perëndimore.’’

Në mendimin tim, për shkak të kontekstit regjional, historik dhe kompozicionit etnik, të tilla përpjekje do të shohim edhe në Maqedoni. Vetëm disa javë më parë, qeveria e Maqedonisë akuzoi një biznesmen rus në Greqi për financimin e grupeve të ndryshme, kryesisht tifo grupe shovenisto-nacionaliste për nxitjen e protestave të dhunshme. I njëjti grup tifozësh nacionalist u pa gjatë ceremonisë zyrtare të shënimit të Ilindenit në Krushevë duke brohoritur thirrje anti-shqiptare.

Me afrimin e datës së referendumit, këto përpjekje do të intensifikohen, e posaçërisht në rrjetet sociale ku nxitja e urrejtjes ndëretnike do të jetë në fokusin kryesor me qëllim të dekurajimit të shqiptarëve për të marrë pjesë masovikisht në referendum, ashtu siç edhe pritet.

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky referendum për të ardhmen e vendit, nuk ka hapësirë për aventura partiake me kalkulime politike ditore, as për faktorizim momental, e as për bajraktarë politik. Një koordinim urgjent mes gjithë faktorëve politik shqiptarë dhe pastaj edhe me të gjithë aktorët tjerë shoqëror është i domosdoshëm për të shmangur të gjitha dilemat dhe për të mos lënë hapësirë manipulimi dhe disinformimi. Një orë e më parë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button