KSHZ me apel për referendumin: Të gjithë të kontrollohen a janë në listën e votuesve

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancën e parë konstituive në përbërje të re e miratoi Rregulloren për përgatitje, organizim dhe zbatim të referendumit të ardhshëm, të caktuar për më 30 shtator, i cili së bashku me Ligjin për referendum dhe Kodin Zgjedhor do të paraqesë bazë për punën e KSHZ-së. Janë miratuar edhe Lista e afateve dhe thirrja publike për kontrolle në Listën Zgjedhore, e cila fillon më 9 gusht dhe do të zgjas deri më 23 gusht.

LINKU PËR KONTROLL:  https://izbirackispisok.gov.mk/

Si propozues i referendumit paraqitet Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, i cili, siç deklaroi kryetari i KSHZ-së Oliver Derkoski, duhet të autorizojë persona, organet të cilat marrin pjesë në procesin e organizimit të referendumit.

“Në situatën kur kemi referendum, kemi propozues të autorizuar. Në situatën tonë pasi që bëhet fjalë për referendum në nivel shtetëror, Kuvendi është propozues i autorizuar kështu që Kuvendi do të autorizojë persona në të gjitha organet të cilët marrin pjesë në procesin e organizimit dhe zbatimit të referendumit, të cilët do të mund ta kontrollojnë tërë procesin”, sqaron Derkoski.

Partitë politike, thotë ai, janë përjashtuar nga ky proces i organizimit të referendumit.

Sipas Listës së afateve dhe sipas Ligjit për referendum, propaganda publike fillon nga dita e shpalljes së referendumit, përfundon 48 orë para votimit. Propagandën publike mund ta udhëheqë propozues i autorizuar me shpenzim të tij dhe mund ta zhvillojë secili që është i interesuar për këtë, thonë nga KSHZ-ja.

Duke marrë parasysh se referendumi duhet të mbahet për 60 ditë, të gjitha afatet do të shkurtohen për pesë ditë përveç për propagandën publike.

Referendumin do ta zbatojnë Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), komisionet  komunale zgjedhore, si dhe bordet zgjedhore të formuara në vitin 2017 të cilat do të përbëhen vetëm prej tre anëtarëve, përkatësisht në to nuk do të ketë përfaqësues të partive politike.

Procesi i votimit të qytetarëve do të mund të vëzhgohet nga organizatat joqeveritare qytetare. Të drejtë votimi do të kenë qytetarët të cilët i kanë mbushur 18 vjet, të cilët janë të aftë, jetojnë në RM dhe janë në listën zgjedhore.

Sipas anëtarit të KSHZ-së Janakie Vitanovski, me Rregulloren  është parashikuar  në referendum  të kenë të drejtë të votimit edhe qytetarët  të cilët janë në listën zgjedhore, e nuk jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

Rezultatet parësore të referendumit duhet të publikohen 24 orë pas përfundimit të votimit,  ndërsa ai do të llogaritet si i suksesshëm përderisa në të dalin më shumë se gjysma e të regjistruarve në Listën zgjedhore.

Nënkryetarja e KSHZ-së Ditmire Shehu shprehu mospajtime me mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, përkatësisht votimin e diasporës duke e marrë parasysh se sa mjete shpenzohen nga shteti për këtë qëllim. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të cilët duan të votojnë në referendum të vijnë në Maqedoni dhe të votojnë.

Elizabeta Apostolovska, anëtare e Komisionit, tha se KSHZ-ja ka dërguar letër deri te MPJ që të konfirmohet ekipi në përfaqësitë konsullare-diplomatike dhe të shihet nëse mund të zvogëlohen shpenzimet për votim të diasporës për referendumin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button