fbpx

Maqedonia dhe Kosova me kalendar të përbashkët kulturor: datat kombëtare, teatrit, filarmonisë, baletit dhe ansambleve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Kujtim Gashi dhe ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, sot paralajmëruan se Kosova dhe Maqedonia në shtator do të nënshkruajnë marrëveshje për aktivitete të përbashkëta kulturore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Gashi në konferencën e përbashkët për gazetarë pas takimit me Ademin, njoftoi se është dakorduar që Kosova dhe Maqedonia të nënshkruajnë marrëveshje të re për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore në të dyja vendet.

“Duke marrë parasysh faktin se në Maqedoni jetojnë një numër i madh i shqiptarëve dhe se Maqedonia ka një diasporë të madhe shqiptare u pajtuam që të autorizojmë institucionet tona dhe ato maqedonase të kulturës për të pasur aktivitete dhe ngjarje me data të përbashkëta”, tha Gashi.

Ai saktësoi se aktivitetet e përbashkëta kulturore do të jenë në datat kombëtare, por edhe nëpërmjet bashkëpunimit të teatrit, filarmonisë, baletit dhe shkëmbimit të ansambleve nga Kosova dhe Maqedonia. Gashi tha se Kosova tashmë ka marrëveshje për kalendarin e përbashkët kulturor me Shqipërinë dhe ekziston dëshirë që kalendari i përbashkët kulturor të jetë për tre vendet, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Ministri i Kulturës së Maqedonisë, Ademi, për të cilin kjo është vizita e parë jashtë shtetit që nga marrja e detyrës si ministër në këtë dikaster, tha se të dyja vendet kanë marrëdhënie të mira, të cilat mund të avancohen, veçmas në sferën e kulturës.

“Të dyja vendet kanë aspirata të përbashkëta, ndërsa ajo është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, por poashtu, ajo që ne si ministri mund të bëjmë është të vendosim bashkëpunim ligjor me qëllim që bashkëpunimi në sferën e kulturës të zhvillohet edhe më shumë”, tha Ademi.

Ai theksoi se do të formohen grupe pune në kuadër të Ministrisë së Kulturës, të cilat do të përgatisin pjesën ligjore të marrëveshjes e cila do të nënshkruhet nga mesi i muajit shtator.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close