Edhe pas 4 muajsh, Qeveria e Maqedonisë ende “nuk di” sa administratorë kanë nisur me punë!

“Presim edhe ne, kur do të kemi informacione do t’i shpërndajmë”, “nuk mund të ju japë kohë, orë, ditë”, “nuk e di sa janë saktë”, “i di për disa institucione, por nuk do të dëshiroja t’i ndajë me ju”, kështu zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë u përgjigj në pyetjen e Portalbit, duke konfirmuar informatën se edhe pas katër muajve ende nuk dihen emrat e 958 administratorëve të cilët duheshte të nisin me punë, por që marrin rrogë e qëndrojnë në shtëpi vite me radhë, raporton Portalb.mk.

“Duhet ta dini se procedura për sistematizim të administratorëve është komplekse. Kjo sot që u publikua nuk është diçka e re. Presim edhe ne. Kur do t’i kemi informacionet, do t’ua shpërndajmë”, tha Boshnjakovski.

Boshnjakovski tha se nuk mund të japë kohë, orë dhe datë për konferencën e zëvendëskryeministrit Hazbi Lika, të paralajmëruar një muaj më parë.

LEXO: Administratorët e MO-së, Qeveria thotë se Lika këtë javë do të tregojë për sistemimin e grupit të dytë
LEXO: Sistematizimi i administratorëve, paralajmërohet konferencë për media nga Hazbi Lika
LEXO: Dy muaj nga lajmet për përçarje në BDI, nga atëherë Hazbi Lika nuk duket në publik

“Nuk mund të ju japë kohë, orë, ditë. Atë çfarë mund ta them, t’ua përsëris fjalët e ministri Mançevski. Po disa nga këta individë kanë nisur me punë. Ata për të cilët procedura është mbaruar, sa janë saktë, nuk e di. E di për disa institucione, po nuk do të doja të ndaja për momentin ndonjë informacion. Ne si Qeveri do të kërkojmë informacion nga Sekretariati kompetent. Të na dorëzojë informacione se deri ku është. Kjo do të ndodh në periudhën e ardhshme, dhe do të kemi një pasqyrë më të mirë dhe më të saktë që ta ndajmë me juve”, deklaroi Boshnjakovski.

Që kur u njoftua nisja e procesit të sistematizimit të administratorëve të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, realizuesi i procesit, Sekretariati për Zbatim të Marrëveshjes së Ohrit refuzon të japë përgjigje për:

Çfarë lartësie të rrogës kanë marrë administratorët derisa kanë ndenjur në shtëpi? Për sa kohë kanë marrë rrogë? Sa nëpunës nga 958 e sistematizuar kanë nisur tashmë me punë dhe ku kanë nisur?

Problemet me administratën kanë qenë edhe ndër kritikat më të mëdha të Komisionit Evropian dhe grupit të ekspertëve të Rejhard Pribesë gjatë viteve paraprake. Ata kërkuan departizim dhe sistematizim të administratës.

Sipas informatave të Qeverisë, një pjesë e të punësuarve përmes Marrëveshjes së Ohrit do të shpërndahen në Drejtorinë për të Ardhura Publike (DAP).

Qeveria në mbledhjen e djeshme ka konstatuar se në DAP nuk ka përfaqësim adekuat sipas Marrëveshjes së Ohrit. E ka obliguar të përgatisë “Plan për përmirësim të situatës përmes marrjes së të punësuarve nga Sekretariati për implementim të Marrëveshjes së Ohrit.”

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button