Kritika spanjolle e cilëson Jahon si një prej sopranove më të mira të kohës

E veshur me fustan të kuq, sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e “Tatro Real de Madrid” bashkë me maestron Placido Domingo, në një version koncertal të operës “Thais”.

Të shoqëruar me orkestër dhe kor, duke u bërë kështu 160 artistë në skenë, kjo dyshe ka mahnitur publikun spanjoll ku me duartrokitje e brohoritje kanë përcjellë koncertin e tyre, njofton Koha.net.

Media të ndryshme spanjolle kanë shkruar për këtë ngjarje, duke e vlerësuar si “performancë të shkëlqyeshme”, “triumf”, “koncert emocional”, derisa Jaho është cilësuar si një prej sopranove më të mira të kohës.

Domingo bashkë me Jahon u bënë pjesë e festivalit “Festival Castel Peralada”- i cili këtë vit mban edicionin e 32-të. Festivali nisi maratonën koncertale me datën 5 të muajit korrik, derisa do të përfundojë me datën 17 gusht.

Mbrëmja koncertale me Jahon zuri vend në skenën e “Teatro Real de Madrid”, e cila është një prej shtëpive më të mëdha operistike në Madrid të Spanjës. I themeluar në vitin 1818 dhe inauguruar në vitin 1850, teatri ka kapacitet prej 1 mijë e 746 ulësesh. Ndryshe njihet edhe si një prej teatrove më të mëdha dhe më të mira në Evropë, derisa programi i tij është i mbushur me produksione të ndryshme që përfshijnë figura të njohura ndërkombëtare.

Ata sollën në version të koncertit operën e njohur “Thais”, e cila në origjinal zë vend në Egjiptin e sunduar nga Perandoria Romake. Murgu Athanël (Domingo) mëton ta kthejë prostitutën Thais (Jahon) në një të krishterë të devotshme, por më pastaj zbulon obsesionin e tij ndaj saj. Dhe derisa zemra e pastër e saj del në pah, po ashtu shtjellohet edhe pandershmëria religjioze e murgut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button