Zbulohet produkti me të cilin lahesh pa ujë

Duke marrë shkas nga një shok që s’kishte fort qejf të lahej dhe me disa muaj kërkime në internet, studenti afrikano-jugor Ludwick Marishane shpiku një mënyrë për t’u larë pa përdorur ujë.

22-vjeçari, student në Universitetin e Cape Town, ka shpikur një produkt të quajtur “Dry Bath” (Banjë e thatë), një xhel që përdoret në lëkurë dhe bën punën e ujit dhe sapunit.

Shpikja, që e shpërbleu Marishane me çmimin e studentit më të mirë sipërmarrës global, ka përdorim të gjerë në Afrikë dhe në vende të tjera në zhvillim, ku higjiena bazike është në nivele të ulëta dhe miliona njerëz vuajnë mungesën e ujit. 
Ky produkt ndryshon nga ata që përdoren për pastrimin e duarve, pasi nuk e ka aromën e alkoolit. Ai formon një shtresë të hollë e të lagësht që pastron lëkurën dhe nuk ka erë.

22-vjeçarit i erdhi ideja një ditë dimri në shtëpinë e tij të varfër në fshat, kur një shok i tha se e lara ishte bezdi e madhe në mungesë të ujit të ngrohtë. “Ai përtonte dhe shpesh thoshte ‘pse dikush nuk shpik diçka që thjesht ta vësh në lëkurë e të mos kesh pse të bësh banjë?’”, ka treguar Marishane.

Ai filloi menjëherë të kërkojë me anë të telefonit të tij në Google dhe Wikipedia për të gjetur formulën. Gjashtë muaj më pas shpiku “Dry Bath”, për të cilin siguroi edhe një patentë.

Produkti ka filluar të përdoret nga kompanitë e fluturimit për udhëtimet e gjata dhe nga qeveritë për ushtarët në front.

Marishane thekson se produkti i tij do të ndihmojë në kursimin e ujit në pjesët e varfra të globit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button