Zyra greke: letrat në targat e reja, rast individual-jo praktikë

Ngjitja e letrave me të cilën dogana greke njofton se Greqia e njeh Maqedoninë si Ish Republika jugosllave e Maqedonisë në targat e automjeteve nuk është praktikë, por ato vendohen në xhamin e pasëm të automjeteve, sqarojnë burime brenda Zyrës për lidhje të Republikës së Greqisë në Shkup.

Zyrtarë të përfaqësisë greke në Shkup thonë se autoritetet greke vetëm zbatojnë dispozitën e parashikuar nga masat praktike të Marrëveshjes së përkohshme e vitit 1995, e cila parasheh se me hyrjen e automjeteve private me shenjën “MK” në territorin e Greqisë, zyrtarët grekë do të vendosin një ngjitës, në një hapësirë të lirë të automjetit, në mburojën e cila gjendet në anën e pasme të automjetit.

Kjo mund të ketë qenë ndonjë rast individual, por nuk është praktikë, thonë burime brenda Zyrës për lidhje të Republikës së  Greqisë në Shkup 

Reagimi vjen pas publikimit të lajmit nga Portalb se disa qytetarëve të Maqedonisë dje u janë ngjitur letra ngjitëse në gjuhën greke dhe angleze në pjesën e targave të reja ku është shkurtesa MK, nga ana e doganierëve grekë.

Në targat e reja të automjeteve që tani përmbajnë edhe shkurtesën MK, doganierët grekë vendosin një letër ngjitëse e cila shpjegon se Greqia e njeh Maqedoninë me emrin FYROM. 

Letra është aq e madhe sa që mbulon 1/3 e targës, dhe ju duhet ta mbani gjatë gjithë qëndrimit në Greqi. 

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë të njoftuar me veprimet e autoriteteve kufitare greke. /Portalb/  

Lajme të ngjashme

Back to top button