Reportazhë: Prespën e zbrazët e ngjallin vetëm kurbetçarët

Në Prespë, si çdo vit edhe këtë verë pritet të vijnë mërgimtarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Dihet se në rajonin e Prespës jetojnë shumë shqiptarë, mirëpo shumica prej tyre kanë braktisur vendin dhe kanë emigruar në Amerikë, Kanada, Australi, Danimarkë, Suedi, Belgjikë etj. Shkaku për migrimin është papunësia e madhe.  Në fshatin Gërçar pothuajse ka më shumë shtëpi sesa njerëz. Shtëpitë i kanë ndërtuar mërgimtarët për t’i përdorur ato vetëm gjatë pushimeve verore ku bëjnë plazh në Liqenin e Prespës, plazhin e Pretorit, Kranjës, Stenjës, Slivnicës etj. 

Edhe pse Prespa është e pasur dhe e njohur me kultivimin e mollëve dhe peshkatari, kjo nuk është e mjaftueshme për ekzistencë, prandaj shumica e të rinjve shqiptarë nga fshatrat e Prespës si Bella Cërkva, Gërçari, Asamati, Kranja, Arvati, Nakoleci etj., gjithnjë e më tepër rrugëdaljen e kërkojnë në mërgim si shpëtim të vetëm për mbijetesën e tyre.

“Edhe këtë verë, si zakonisht, në Prespë pritet të vijnë një numër i madh i mërgimtarëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në Amerikë, Australi, Kanada, e sidomos në shtetet e Evropës, Zvicër, Suedi, Danimarkë, Norvegji etj. Mërgimtarët si dhe vendasit me padurim i presin pushimet verore që të shihen dhe shoqërohen me të afërmit e tyre, duke i shijuar bukuritë e kësaj ane posaçërisht duke u larë në ujërat e Liqenit të Prespës” thotë Gendi nga fshati Asamat.

Sipas tij, përpos mërgimtarëve prespanë të lindur në rajonin e Prespës, pritet të vijnë edhe të rinj, të cilët viteve të fundit kanë krijuar një traditë të mirë duke shprehur dëshirën që ditët e nxehta t’i kalojnë me më të afërmit në vendlindjen e prindërve. Po ashtu, pritet që një pjesë e të rinjve që vijnë nga mërgimi të bëjnë fejesat e tyre, duke u kurorëzuar me vajza apo djem prespanë.

Duhet theksuar se çdo vit në datë 18 korrik mbahen takimet e Gërçarit, që tani më janë bërë tradicionale. Në këto takime të përcjella me muzikë nga këngëtarë të zgjedhur shqiptarë, mblidhen pleqtë dhe të rinjtë të vendit dhe mërgimtarët që të çmallen dhe shoqërohen mes veti.     
24 vjeçarja Izabela e lindur në Miçigen të Amerikës për herë të parë me motrën e saj viziton Prespën gjegjësisht vendlindjen e prindërve të saj, Kranjën. Ajo ishte e befasuar nga bukuritë natyrore të kësaj ane, si dhe nga zemërgjerësia dhe mikpritja e njerëzve në këtë vend.

“Kjo është hera e parë që vij në Prespë, jam shumë e kënaqur dhe e fascinuar nga ky vend, do të mundohen që në të ardhmen sa më shpesh të vij dhe të kaloj pushimet verore në Prespë. Më pëlqen pozita gjeografike e Prespës, sepse përfaqëson një farë udhëkryqi për në Shqipëri, por po ashtu edhe për në Greqi”, thotë për portalb Izabela. 

Kurbeti i prespanëve ka zanafillën e vet një shekull më parë. Të ballafaquar nga kriza dhe luftërat e pandalshme të fillimshekullit prespanët ndër të parët morrën rrugën për të fituar bukën drejt botës, nga e cila shumë pak  u kthyen. Shumica prej tyre vazhuan jetën në vendet ku kishin emigruar duke marrë kështu kulturën dhe traditat e vendeve ku ishin shpërngulur./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button