Psalmi i nuses së pikëlluar

Për butësinë që e ke gjetur në vetminë time
do të të ngre mbi njerëzit me zërin tim të kosheres
së braktisur.
Do t’i heq nga gishtat e tu çdo gjë që të farkon,
çdo shenjë që e errëson lëkurën tënde
dhe s’do të ketë më unaza në dejtë e tu.

Atëherë do të më vish ashtu e re
sikur asnjëherë të mos e kishe ndjerë barrën në shpinë.

Do të ta kthej gjakun anës së prapme
të të shoh në vitin e pesëmbëdhjetë si ha qershi.

Unë jam ai të cilin ti si vajzë e vogël
në guaska e ke dëgjuar si noton.

Ai i cili tregimet e ëmbla ua tregonte portokajve
kur me unazë luaje përsëri.

Ai që vente ëndrra të linjta dhe engjëj
në altarët e bardhë.

Ai i cili në ditën e frikës tënde të parë
vuri lulëkuqe në dhomën tënde të gjumit.

Ende s’isha poet asokohe,
po portokajt po i parandjenin lulet e tyre;
mendoja:

”Kur do të të takoj,
do të vazhdoj të të kërkoj çdo ditë.

Do të të dua në kohë e orë të ndryshme
që ta ndërroj orarin e ardhjes së natës.

Do t’i lësh në arë teshat e tu me erën e gruas
që ta dijë toka se duhet të lulëzojë.

Kur të vijë koha e orkideve, do t’i vë në flokë.
veshët e tu të vegjël do t’i turpërojnë ato.

Do të hamë fruta mali e do të ecim zbathur
që buzët të na kenë shijen e vesës.

Nuk do të hyjnë nëpër qytete e as nëpër faltore
që të mos ketë krijim njerëzor midis lëkurës e zotit.

Do të jesh kthim për atë tim bir
i cili ka humbur që nga fillimi i botës.

Kur do t’i luhatësh duart e do të të prekë
ninulla,
do të përsiasë shelgu që rri zgjuar mbi brigje.

Dhe bardhësia jote do ta qetësojë ujin
ku mulliri e ëndërron miellin e tij më të mirë.

Po të duhet të rrihet zgjuar për shkak të bukës,
do të ma mbushësh gojën me breshër t’i qetësosh puthjet.

Do të strehohesh nga shiu në guaskë,
kurse dora ime do ta marrë këngën tënde dhe do ta ngrejë
deri te veshi im,

Do të kërcesh në thellësinë e lumit
që duke rënë mos të kërcesh nga reja në re.

Do t’i fusësh duart në dheun e lagur nga shiu
që ta shënosh vendin për zambakë.

Për here të pare kur të këndosh, do t’ua kujtojmë drurëve
se atë ditë çerdhja do të jetë e panevojshme.

Kur ta dëgjojnë zërin tënd, bletët do ta lënë punën,
kurse hojet do të mbeten të zbrazëta.”
Unë po të flas.
Tash dëgjo se çfarë po të them.

”Këndo derisa s’e ndjen
se të dhëmbin kapakët e syve.
Mendo për mua derisa gjumi
nuk të ikën me dallëndyshet.
ëndërromë derisa nata
nuk detyrohet të fshihet nëpër zile.

Dashuromë derisa sytë
nuk të mbushen me lot.

Qaj derisa nga lotët
nuk ikin zogjtë.
Thirrëm derisa nuk rriten
ferrat në veshët e mi.
Pritëm derisa  peshqit
nuk i pinë të gjithë lumenjtë e derisa nuk ia japin këngës.
Se një ditë kjo do të ndodhë se s’bën.”.

Nga Horhe ROHAS  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button