Dy ditë deri te shpallja e referendumit: VMRO-ja nuk ndryshon qëndrim

Dita e hënë është dita kur anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor do të japin deklarata solemne, por edhe kur do të shpallet data e mbajtjes së referendumit për marrëveshjen e emrit Maqedoni – Greqi. Shumica parlamentare pret që referendumi do të nënshkruhet nga 72 deputetët dhe se do të përkrahet nga VMRO-ja, mirëpo nga kjo e fundit sot deklaruan se nuk kanë ndryshuar qëndrim – nuk pajtohen me pyetjen e referendumit, njofton Portalb.mk.

“Qëndrimi ynë është ai i njëjti që e kemi shprehur për disa ditë. Ai është i qartë dhe sipas normave ligjore dhe propozimeve evropiane për momentin nuk ka asnjë lëvizje”, tha zëdhënësi i VMRO-së, Dimçe Arsovski sot gjatë konferencës për media.

Grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) do të parashtrojë propozim për shpalljen e referendumit dhe pret nënshkrim të të njëjtit nga 72 deputetë. Sipas tyre nëse referendumi nuk merr përkrahje nga VMRO-ja, ata janë të gatshëm të nisin edhe fushatë për të.

Të gjitha këto thuhen se janë biseduar në negociatat që zhvillohen ndërmjet dy partive politike më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE, burimet e të cilave thonë se sërish do të arrihet kompromis dhe në fund edhe VMRO-DPMNE-ja do ta përkrah referendumin.

Nëse referendumi shpallet të hënën, referendumi do të mbahet më 30 shtator. Pyetja që do ta përmbajë zyrtarisht nuk është deklaruar si përfundimtare, edhe pse kryeministri i Maqedonisë, Zora Zaev pas takimit të liderëve e shtroi si propozim: “A jeni për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO me pranim të marrëveshjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Për referendumin ende nuk dihet se a do të jetë konsultativ apo obligativ.

KSHZ-ja me obligimin – realizimin e referendumit

Të hënën do të duhet të deklarohen edhe anëtarët e rinj të KSHZ-së, të cilët do të kenë mandat 6 mujor me obligime për realizimin e referendumit.

Partitë politike thonë se do të përballen me problemin rreth realizimit të referendumit, për shkak të zbrazëtirave ligjore që ka ligji për referendum. Megjithatë, ata shpresojnë se këto pengesa do të arrijnë t’i tejkalojnë anëtarët e rinj të KSHZ-së.

Në lidhje me referendumin, dje kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se pret vendim të mençur nga shumica e qytetarëve, e ndërkaq zëvendëskryeministrja, Radmila Shekerinska tha se edhe nëse referendumi dështon, ndryshimet kushtetuese që do të bëhen nga Qeveria, nuk do të jenë obligative për institucionet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button