Shkatërrimi i bregliqenit të Dibrës!

Të ndërtosh dhe zaptosh hapësirat e bregut të liqenit në kundërshtim me ligjin, estetiken dhe funksionalitetin minimal të një bregliqeni, të japësh leje ndërtimi dhe te legalizosh objekte aty ku ligji e ndalon, të nxjerësh jashtë funskioni një bregliqen dhe ta vendosesh atë në interes individëve apo grupeve të caktuar, por në dëmin e një popullate të terë dhe brezave që vijnë, do të thotë të shkatërrosh, në kuptimin e plotë të fjalës.

Pa pardon, për të qenë i sinqertë deri në skaj, dhe për të mos i bërë padrejtë askujt, sepse ashtu e kërkon nevoja ekstreme e gjërave që po ndodhin rreth liqenit, shkatërrimin masiv të bregliqenit e filloi kryetari paraardhës i Komunes Dibër, ztr. Argëtim Fida, në mandatit e tij të dytë, i cili në kundërshtim me ligjin për ndërtimet e egra, në bashkëveprim faji edhe me Ministrine e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapsinorë, që jep dakordimin për legalizmin e objekteve pranë brigjeve te liqeneve natyrore apo artificiale, legalizoi objekte në kundërshtim me normat ligjore të ndërtimeve pranë brigjeve te liqeneve natyrore apo artificial.
Njëkohësisht lejoi ndërtimet e shumë objekteve te tjera të egra, të cilët sot faktikisht janë të palegalizuara, por ndërtuesit e të cilëve presin “ditën e tyre të bardhë” shenjën e fshehtë jeshile të Komunës, për ti legalizuar objektet në kurrizin e popullatës, duke blerë edhe tokën e zaptuar shtetërore, njëlloj si me praktikën e disa legalizimeve të bera në shkelje flagrante te ligjit.
Sipas ligjit ata objekte që nuk plotesojnë kushtet për legalizim, prishen, dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ligji parashe gjoba të mëdha për mosveprim, për kompetentet e pushtetin lokal në territorin e të cilit janë këto ndërtime.

Pastaj për të vazhduar me kryetarin aktual ztr.Ruzhdi Lata, i cili e rëndoi edhe më shumë situatën, që për ta bërë me tragjike, vetë kryetari në fjalë) deklaroi para mediave dhe popullatës se, do ti shembë të gjitha objektet e egra që e kanë shkatëruar bukurinë e breg liqenit të Dibrës, objekte këto në kundërshtim me ligjin (deklarata të cilat mund ti gjehen lehtë me një kërkim amator në internet).

Por cuditërisht pas disa vitesh në udhëheqjen komunale, kryetari aktual pati një kthesë 180 shkallë të deklarimeve të tij, me një formë të papercedente të një kryetari të mëparshëm apo të dëgjuar komune, i cili bën thirje publike jo për të ndaluar ndertimin e objekteve te ne kundershtim me ndertimet prane brigjeve te liqenit, planit urbanisitik, ligjit per ndertimet e egra, por bëri thirje publike për shkelje të ligjit, intepretime krejtësisht antiligjore dhe për më tepër ofenduese për intelegjencën e një popullate: si psh ajo se “cdo objekt që ka frymë, është legal, por ka problem vetëm me dokumentacion”, ose: “nuk mund ta lëmë bregun e liqenit shkretëtirë”, etj. deklarata këto antiligjore dhe antilogjike, për thirjen e shkatërimit të rendit ligjor nga një person zyrtar (për të cilat në të vërtetë duhet të reagonte organi i akuzës – prokurorisë kompetente, e cila mjerisht është e shurdhët dhe e verber). Thirje të rrezikshme këto nëse bëhen shembull aplikimi në raste të ngjashme, ku pasojat do të ishin katastrofale.

Bregu i liqenit të Dibrës është shëndruar në një brutalitet total ndërtimi, pa një plan urbanistik, me ndërtime të egra kaotike, shëmti estetike, pa funskionalitetit, duke penguar edhe shfrytezimin më minimal të popullatës bregun e liqenit, distancës mes ndërtimeve dhe kuotës maksimale të ujit, gjatë pjesës më të madhe të vitit, etj. Pos disa interesave vetjake të ndërtuesve, të cilët për hir të së vërtetës, disa prej tyre janë futur në lajthitje, sepse jane motivuar të ndërtojnë nga deklaratat e sipërpërmendura, por që në anën tjeter po përballen me procese penale të ngritura nga sektori i Ministrisë së punëve të brendëshme, me akuzën për ndërtime pa leje dhe uzurpim të tokës shtetërore, me cka kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.

Gjendja e liqenit vjen e përkeqësohet edhe më shumë, shkatërrimi merr përmasa të pariparueshme. Ndërtuesit do të gjejnë shtigje të paligjshme për ti legalizuar objektet e tyre dhe me pastaj do të jetë shumë e vështirë për ti prishur dhe kompensuar të njejtët nga Komuna e Dibrës, në një udhëheqje të ardhëshme.

Ne jemi shoqëri që vecanërisht në kohët e fundit vuajmë nga frika dhe kapja e ndërgjegjes për interesat e barkut, egos, ndoshta diku për interesat minimale të barkut për të vazhduar jeta, por më shumë për interesa karieriste apo pasurore. Gjendje e cila na ka katandisur në këtë shkallë shkatërrimi, sepse tani e disa kohe jemi edukuar me edukatën e nënshtrimit, edukatën e servilizmit dhe frikës nga kjo botë dhe e keqja brenda saj.

Personalisht si antar i Forumit rinor të BDI-së, bashkarisht me të tjerët, me mundësitë dhe rolin që kemi pasur, kemi kontribuar që edhe ztr.Argëtim Fida, në dy mandatet e tij, por edhe Ruzhdi Lata në mandatin e tij të parë, të dalin fitues në garën zgjedhore për kryetar komune. Kemi kontribuar edhe përtej kësaj, kur kryetarët në fjalë nuk ishin aty, megjithatë kemi bashkëpunuar dhe lëvduar kur kanë bërë pune të mira. Prandaj nuk e shoh të arsyeshme të kompleksohemi apo frikësohemi për asgjë, për të vërtetën që duhet thënë, të vërtetën emergjente. Përkundrazi besimi që ju jepe të tjerëve, duhet të mos keqpërdoret dhe, kritika të pranohet me mirëkuptim sepse është e dobishme.

Flasim për bregun e liqenit të Dibrës, flasim për interesat e gjëra, pa ju mohuar projektet e mundëshme pozitive kryetarëve në fjalë, megjithatë asgjë nuk e arsyeton një shkatërrim, sic nuk mund ta arsyetojë kryes i një vepre penale, vepren penale, me atë se sa punë të tjera të mira ka bërë.

Kam bindjen se pohimeve të mia i bashkangjiten zëshëm dhe heshturazi shumica e antarëve të BDI-se dega Dibër, shokët e mi të bashkëpunimit të hershëm ne kohët e vështira, pa përmendur këtu shumicën e opinionit të popullatës se Dibrës, që sigurisht ndan të njejtin shqetësim. Pa përmendur këtu edhe emigrantët që vijnë dhe kanë për rekreacion në forma të ndryshmë liqenin e Dibrës, të cilët vecanërisht janë të shqetësuar dhe kundërshtojnë shkatërrimin e këtij breg liqeni, edhe ata mergimtarë që me aq mund sakrifikojnë dhe bëjnë investime / ndihma në këtë qytet.

Kryetari në detyrë i Komunës Dibër duhet të mbajë fjalën dhe të qëndrojë në përputhje me ligjin, jo vetëm si një ish Myfti, si karakter i një muslimani që nuk e han fjalën, që është besatar me vullnetin e sovranit, por edhe si qytetar i thjeshtë i këtij vendi, minimalisht për të mirën e fëmijëve të tij, jo më shumë. Ai gisht që ngritet lartë me sinqeritet, për të dëshmuar Njëshmërinë e Allahut, nuk mund të nënshrkuajë vendime dhe punë antiligjore, qoftë kjo në dëmin e një milingone, e jo më të një popullate (shkas nga fotot e kryetarit aktual me gishtin tregues lartë, kur riparon ndonje rrugë me asfalt).

Prandaj Kryetari i Komunës duhet ti shembë të gjitha ndërtimet e egra që bien ndesh me ligjin, të mos lejojë uzurpimin e mëtejshëm. Të kompensojë ata që janë legalizuar, të cilëve do tu shemben objekjet (pavarësisht se legalizimet janë bërë në kundërshtim ligjor, ata nuk përgjegjen për këtë, por përgjegjen ata që ju kanë dhënë legalizimet). Të rishikohen dhe kërkohet përgjegjësi se si janë dhënë legalizimet e objekteve, të kërkohet dëmshpërblimi për dëmtimin e buxhetit të komunës, djersa e taksapaguesve, për kompenzimin e pronareve të objekteve, nga buxheti i komunës. Me këtë kryetari në fjalë do të rehabilitonte edhe përgjegjësinë e kryetarit të kaluar, ju shmangte edhe vetë përgjegjësisë ligjore në të nesërmen, do të largonte edhe shqetësimin dhe disfavorin që i ka sjellë forcës politike që e kandidoi për kryetar (rezultati i zgjedhjeve të fundit), cështja e bregut te liqenit, aq shqetësuese për qytetin.

Në fund, fitues më të mëdhej në rehabilitim do të jenë qytetarët, të cilëve pas kthimit të bregut të liqenit në gjendjen natyrore, tju bëhet urbanizimi dhe ndërtimi me kritere, lirimi i hapësirave publike, ndërtimesh kënde rekreative sportive, mospengesa në qarkullim njerëzish dhe mjetesh motorike, për të zhvilluar një ambient estetik, funskional, ku edhe ata që dëshirojne të ndërtojnë, të kenë mundësi të ndërtojnë dicka me vlerë shoqërore, sigurisht në përputhje me tenderimet publike të barabarta për të gjithë, si në cdo vend normal të botës, pa i berë dëm askujt. Të paktën të shëndrohet në përgjasim minimal të bregliqeneve të Strugës apo qytetit të Ohrit. Në të kundërtën, bregu i liqenit të Dibrës mbetet njollë e madhe për secilin administrator lokal që abuzon me të, kjo në kujtesën karakteristike të dibranëve. Po përtej njollës, humbës më të mëdhej mbeten dibranët dhe turizmi, nëse nuk bëhet ajo që duhet bërë.
Mos presim të ndërhyje pushteti qëndror, ata sjanë dhe skanë qenë asnjëherë të interesuar për bregun e liqenit të Dibrës, thjesht kanë vepruar sipas urdhërave politik në cështjet lokale.

Shpresoj të dëgjohet dhe respektohet ky shqetësim serioz. Kjo është në shërbim edhe të vetë administratorëve të qytetit, pavarësisht interesave të ngushta të mundëshme në këtë jetë kalimtare.

Mund të kisha heshtur si shumë të tjerë, si ata që heshtjen e shohin interes vetanak, rehati, siguri apo mencuri, megjithatë unë në të këtilla raste si ceshtja e bregut te liqenit, e konsideroj heshtjen krim, sic besoj e konsiderojnë edhe shumë të tjerë. Të kam mik e të kam vëlla, por mik dhe vëlla më të madh kam të vërtetën, do të thoshin të mencurit. Në fund të fundit askush nuk mund të arrijë të shpërblejë si shpërblimi i Zotit, apo ti shmanget ndëshkimit të Tij. Të paktën për ata që e dinë këtë fakt.

Të motivohemi për të ndërtuar një shoqëri të dinjitetshme dhe jo nënshtruese, një shoqëri kryengritëse dhe jo kokëulur ndaj së keqes, shoqëri që ju prin proceseve për mirëqenien e vetë, dashtë Zoti. Kjo pavarësisht përkatësisë politike, opozitare apo bashkëpartiake. E dëmshmja është armiku i të gjithëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button