Tetovë, banorët të irrituar, kërkojnë të përshpejtohet rregullimi i rrugës “Murat Baftijari”

Banorët e lagjes “Murat Baftijari” në Tetovë ankohen se punët për rregullimin e kësaj rrugë janë duke ecur me ritëm shumë të ngadaltë dhe kjo shkakton irritim dhe tek ata sepse kanë lëvizje të kufizuar. Gjithashtu edhe bizneset që gjenden në këtë rrugë ankohen se janë të dëmtuar shumë këtë sezonë, njofton Portalb.mk. Nga ana tjetër, Komuna thotë se gjithçka shkon sipas planit.

“Nuk mund të dalim lirshëm nga shtëpitë. E dimë se është në të mirën tonë që më në fund do rregullohet kjo rrugë por ritmi i punës është duke ecur shumë ngadalë dhe na dëmton shumë veturat” thotë Adrian Ibraimi banor i kësaj lagje.

Edhe një dyqanxhi i kësaj lagje thotë biznesi i tij është duke dështuar mu në kohën kur e kanë sezonin me ardhjen e mërgimtarëve.

“Ardhjen e mërgimtarëve e kemi pritur me padurim, dhe tani ku ne duhet të nxjerrim të hollat e qirasë dhe të ardhurat e tjera, mos-rregullimi i kësaj rruge ka bërë që kjo rrugë të mos frekuentohet, se di pse është e nevojshme që punët për një rrugë të zgjaten kaq shumë” shprehet për Portalb.mk një dyqanxhi.

Nga Komuna e Tetovës, gjegjësisht nga Sektori për rrugë dhe tokë ndërtimore thonë se afati kohor është duke u respektuar dhe nuk ka aspak vonesa në punët e kësaj rruge.

“Afati kohor është 120 ditë. Në projekt është paraparë rregullimi i kanalizimit dhe ndriçimit për shkak të kërkesës së banorëve dhe nevojës u desht që të bëjmë dhe projekt për gypin e ujësjellësit dhe për këtë shkak bëmë projekt dhe e realizuam shumë shpejtë ndërrimin e gypave të azbestit pa mos i lenë banorët pa ujë. Sa i përket pyetjes suaj dhe a janë vendosur dhe gypa rezervë për gazifikimin, mund të them se gazifikimi kërkon projekt tjetër për shkak se është shumë punë delikate dhe në këtë rrugë nuk është paraparë” thonë për Portalb.mk nga Sektori për rrugë dhe tokë ndërtimore.

Rruga “Murat Baftijari” është pjesë e Çarshisë së Epërme të Tetovës dhe është një ndër lagjet më të vjetra të qytetit të Tetovës.

Ajo filloi të rikonstuohet më 31 mars 2018. Atëherë u tha se do të bëhet rregullimi i tërësishëm i rrugës në gjatësi prej 520 metra, gjerësi 6 metra dhe trotuare nga të dyja anët me gjerësi 2 metra.

“Me rregullimin e rrugës është paraparë edhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik F400 dhe gjatësi prej 600 metrave. Rruga e re do të ketë edhe ndriçim modern LED, me shtylla ndriçuese me gjatësi prej 9 metrave. Gjithashtu gjatë rikonstruimit të rrugës do të bëjmë edhe ndërrimin e gypave të ujësjellësit që të evitohen defektet e mundshme  në të ardhmen”, u tha në njoftimin e Komunës së Tetovës.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button