Ripërsërit Thaçi: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot përfaqësuesit e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Pas këtij takimi, në një konferencën për media Thaçi është pyetur lidhur me lajmet e fundit për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe ai në përgjigjen e tij ka përjashtuar çdo mundësi për ndarje.

Ai po ashtu është pyetur nëse takimi i sotëm ka të bëjë pikërisht me shkëmbimin e territoreve, transmeton Koha.net.

“Unë isha në takim me përfaqësuesit legjitimë dhe bartësit e Luginës dhe jo me presidentin e Serbisë, prandaj nuk munden nga kjo rrethanë të involvohen në këtë proces autoritetet e Serbisë. Deklarimi i vitit 1992 i shqiptarëve të Preshevës është i hershëm që në atë kohë ka qenë i koordinuar me trupin pra Këshillin Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, ka thënë Thaçi.

Presidenti thotë të këtë dëgjuar me vëmendje pozicionimin dhe qartësinë e liderëve të Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, pra, sipas tij, janë shqetësime të hershme dhe nuk ndërlidhen fare me komentimet sa i përket ndarjes së Kosovës.

“Ndarje nuk do të ketë, marrëveshja përfundimtare e dialogut do të jetë vetëm mes dy vendeve të pavarura”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarimi i tyre se Kosova është shpresa e tyre, rrit vullnetin e institucioneve të Kosovës që t’u dalin zot atyre.

Thaçi tha sot edhe njëherë se Kosova do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për t’i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai ka premtuar ndihmë dhe mbështetje nga të gjitha institucionet e Kosovës për shqiptarët që jetojnë atje.

Sipas tij, e kemi për obligim që jo vetëm t’i dëgjohen problemet me të cilat përballën shqiptarët e Luginës, por edhe institucionet e Kosovës të merremi me avancimin e të drejtave ë tyre.

“Ne mbaruam një takim pune njëherë veçmas me secilin, e pastaj bashkë, ishte takim përmbajtjesor, e që është vazhdimësi e takimeve të mëhershme. Ky takim ka qëllim të informimit për sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët që jetojnë në këto lugina. Unë ju siguroj se kemi obligim që jo vetëm të përcjellim me vëmendje cilat janë problemet që i shqetësojnë qytetarët atje, por edhe të ndërmarrim veprime konkrete për t’i zgjidhur ato, gjithmonë në përputhje me standardet evropiane”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se Kosova s’mund t’i mbyll sytë gjithmonë para padrejtësive që bënë Serbia.

“Serbia si çdo tjetër, e aq më tepër që një shtet BE e ka afruar për anëtarësim, e ka për obligim të respektoj të drejtat e qytetarëve atje. Serbia fatkeqësisht është larg përmbushje së standardeve të qytetarëve të luginës së Preshevës. E këtë gjendje të vështirë, ma konfirmuan sot në takim përfaqësuesit shqiptar të luginës. Sot ju premtoj të gjithë qytetarëve të Luginës se institucionet do të përdorin çdo mjet legjitim dhe demokratik për të mbrojtur të drejtat elementare e kombëtare të tyre. Dua të besoj se autoritetet në Beograd do të mirëpresin interesimin tonë dhe do të respektojmë atë që ne i respektojmë në Kosovë të drejtat e serbëve”, tha Thaçi.

Sipas tij, në të ardhmen pritet një koordinim më i madh, përfshirë edhe BE-në që të adresoj kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të luginës. BE nuk mund të aplikoj standarde të dyfishta kur është në pyetje çështja e komuniteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button