Shkup, filloi ndërtimi i fabrikës turke “Murat Ticaret”

Dje në Zonën Tregtare Industriale për Zhvillim (ZTIZH) Shkup 2, u mbajti një ceremoni me rastin e fillimit të ndërtimit të fabrikës së kompanisë turke “Murat Ticaret” e cila do të prodhojë kabllo dhe instalime elektrike për industrinë e automjeteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky aktivitet u ndoq nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, Ministri i Shtetit i ngarkuar për investime të huaja, Adnan Qahil, Drejtor i Përgjithshëm i “Murat Ticaret”, Şahan Murat Gora, këshilltari i Tregtisë i Ambasadës së Turqisë në Shkup Bunyamin Kutlu, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësues të kompanive turke, institucioneve dhe organizatave në vend si dhe mysafirë të tjerë të ftuar.

Kryeministri Zaev, në fjalimin e tij, tha se interesi për investime të reja nga kompani turke në Maqedoni është në rritje dhe për këtë arsye do të vazhdojë intensifikimi dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve që ruajnë një miqësi tradicionale disavjeçare.

“Sot shënojmë fillimin e ndërtimit të një fabrike të re të kompanisë ‘Murat Ticaret’ në vend – një kapacitet prodhimi e cila do të mbulojë një sipërfaqe prej 18.000 metra katrorë dhe e cila fillimisht do të ofrojë 300 vende të reja pune për qytetarët tanë, me tendencat që ky numër të arrijë në 500 të punësuar”, tha Zaev.

Zaev tha se përfitimet ekonomike të anëtarësimit tonë në NATO padyshim do të sjellin standard të mirë të jetesës për qytetarët, më shumë investime të huaja direkte, rritje më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), rritjen e tregtisë me vendet e NATO-s, në radhë të parë stabilitetin dhe sigurinë e integritetit territorial të vendit.

“Krejt në fundit, do të doja që menaxhmentit të kompanisë ‘Murat Ticaret’ t’i uroj ndërtimin e suksesshëm të fabrikës dhe realizimin e shpejtë të qëllimeve të përcaktuara dhe planeve të biznesit”, shtoi ai.

Zëvendëskryeministri Angjushev tha se çdo ditë kur vendoset një gurthemel për një fabrikë, ky është gëzim për qeverinë dhe për të gjithë, dhe se është një dëshmi e mbështetjes së qeverisë për investitorët e huaj. Ai theksoi se ata si qeveri do të qëndrojnë pranë tyre me industrinë dhe ekonominë.

Duke kujtuar se kjo kompani turke me mbi 2.000 punonjës vepron në shumë vende dhe në shumë kontinente, Angjushev shprehu mirënjohje se nga sot do të fillojë të punojë edhe në Maqedoni.

“Qarkullimi në mes të Turqisë dhe Maqedonisë në vitin 2017 është 400 milionë euro, ndërsa vetëm për 5 muajt e parë të vitit 2018 krahasuar me vitin 2017 ajo u rrit me 12 për qind dhe po ashtu është e rëndësishme se eksporti i Maqedonisë në Turqi është rritur gjithashtu me 12 për qind. Investimet totale të Turqisë në Maqedoni arrijnë në 250 milionë euro. Është një hap inkurajues për ne që jemi vende miqësore që do të ndërtojnë marrëdhënie miqësore si në aspektin e politikës ashtu edhe aspektin e ekonomisë”, shtoi Angjushev.

“Në turqisht ekziston vetëm një fjalë, e cila në gjuhë të tjera nuk ekziston. Kjo është fjala esnaf. Kjo fjalë në të gjitha gjuhët që njoh nuk mund të gjejë një përkthim të përshtatshëm. Kjo është një fjalë që nënkupton më shumë karakteristika të një biznesmeni në një vend. Të jesh i sinqertë, të jesh i zellshëm, të jesh i përkushtuar, dhe kjo do të thotë esnaf. Unë i dëshiroj kompanisë ‘Murat Ticaret’ të jetë një esnaf”, tha Angjushev.

Ministri pa Portfol Qahil i shprehu mirënjohje kompanisë “Murat Ticaret”, e cila u përcaktua të investojë në Maqedoni dhe i ftoi që në të ardhmen të bëhen më shumë investime të tilla.

“Prania juaj këtu kontribuon në hyrjen e kompanive të tjera në vend. Me këtë investim të madh ne presim që investimet e ardhshme nga Turqia të jenë të mëdha. Prandaj, ne u jemi mirënjohës”, theksoi Qahil.

Menaxheri i përgjithshëm i “Murat Ticaret”, Gora vuri në dukje se fabrikat dhe depot të cilat i posedojnë jo vetëm në Turqi, por edhe jashtë vendit, përfshirë edhe investimin në Maqedoni, kanë për synim të hynë në mesin e aktorëve më të rëndësishëm në botë.

“Faktorët për miratimin e këtij vendimi për investime në Maqedoni mund të renditen si më poshtë; marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Turqisë, të cilat forcën e marrin nga historia dhe kultura e përbashkët, potenciali për zhvillim, pozita gjeografike e cila është e afërt me Turqinë dhe tregun evropian, stabiliteti i arritur politik, si dhe fuqi punëtore të trajnuar dhe të kualifikuar”, tha Gora, duke vënë në dukje se kjo fabrikë do të jetë një nga pikat e rëndësishme në tregun evropian.

“Planifikojmë të fillojmë prodhimin në fillim të vitit 2019 dhe brenda pesë vitesh do të sigurojmë punësim për të paktën 500 persona”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button