Shilegov: Tërmeti i vitit 1963 përkujtues se siguria e ndërtimeve është jetike

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, me rastin e shënimit të 55 vjetorit të tërmetit deklaroi se dita e sotme është një ditë e pikëlluar për Shkupin, megjithatë shënon frymën e një qyteti të ri, i cili si pasojë e tërmetit u shndërrua në qendër të humanitetit botëror, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarë shterërorë, ambasadorë të huaj të akredituar në Maqedoni dhe organizata të ndryshme me prefiks humanitar, në një ceremoni të organizuar vendosën kurora lulesh në varrezat e qytetit në Butel para Monumentit të viktimave të tërmetit i cili ndodhi më 26 korrik në vitin 1963.

Në një deklaratë për mediat, Shilegov tha se tërmeti katastrofal që goditi Shkupin, nxorri në pah humanitetin e kombeve të botës, meqë 88 shtete të ndryshme kanë lënë gjurmët e tyre humanitare në rindërtimin e kryeqytetit.

“Kjo e bën Shkupin të vetmin qytet në botë me karakteristikë të tillë, por kjo njëkohësisht paraqet një trashëgimi serioze për gjeneratat e tanishme që fillimisht të kujdesemi për sigurinë e asaj që ndërtohet në qytet, dhe tjetra, që në raste të ngjashme kudo në botë ne si shkupjanë, të marrim obligim të zgjasim dorën e ndihmës për secilin që do të përballet me fatkeqësi të tillë”, tha Shilegov.

Ai tha se tërmeti i vitit 1963 është futur në memorien kolektive të njerëzve, qoftë edhe të atyre që nuk e kanë përjetuar, dhe flasin për kujdesin që duhet të kemi për t’u përgatitur mirë për fatkeqësitë natyrore të cilat mund të na godasin në çdo kohë.

Kujtojmë se më 26 korrik të vitit 1963, në ora 5 e 17 minuta, Shkupi u trondit nga një tërmet i fuqishëm ku si pasojë, jetën e humbën mbi 1.070 persona, ndërsa mbi 3.000 të tjerë u lënduan. Tërmeti shkatërroi 15.800 ndërtesa ose mbi 85 për qind të kapaciteteve banesore për çka mbi 200 mijë persona mbetën pa kulm mbi kokë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button