VLERA E PAFUNDME E NJERIUT

Në vitin 1942, në kulmin e fashizmit, Ualter Stejsi (Walter Stace) botoi librin “Fati i njeriut perëndimor”. Një reagim intelektual kundër regjimeve agresive që synonin ngufatjen e demokracisë. Stejsi ishte kundër ideologjive demoniake: të fashizmit dhe komunizmit, sepse nuk e njohin dashurinë, altruizmin, mëshirën dhe solidaritetin. Sipas tij mendimi etik europian bazohet në arsye e mirësi dhe se idetë themelore të Europës moderne janë: vlera e pafundme e njeriut, barazia ndërmjet njerëzve, individualizmi dhe liria. Vlera e pafundme nënkupton se jeta e njeriut nuk ka çmim. Çdo njeri është i rëndësishëm dhe kështu duhet trajtuar. Çdo çmim për jetën njerëzore është fyerje, robërim dhe cenim i personalitetit të njeriut. Robi trajtohet si mjet i padronëve dhe jo si qëllim më vete – pra jo si vlerë e pafundme dhe e papërsëritshme…

Koncepti europian për shoqërinë e lirë, sipas autorit, duhet të përmbajë dy format e lirisë: lirinë politike – si formë demokratike e qeverisjes, pra qeverisje e njerëzve nga vetë njerëzit ose nga të zgjedhurit e tyre dhe lirinë personale – lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të besimit, bashkimit në organizata të ndryshme politike, qytetare, kulturore, artistike, fetare.

Demokracia është liri diskutimi dhe e drejta njerëzore për ta shfrytëzuar mendjen. Aty ku kontestohet vlera e pafundme e njeriut, sikurse ndodh në shoqëritë totalitare, aty kontestohet liria politike dhe ajo personale. Qeverisja demokratike është qeverisje nëpërmjet bindjes. Qeverisja totalitare është dhunë, kurse dhuna është shprehje e vullnetit dhe jo e arsyes. Demokracia është sundim i arsyes. Totalitarizmi është sundimi i vullnetit.

Shteti demokratik, si organizim, përkujdeset për mirëqenien e qytetarëve. Shteti është mjeti, kurse qytetari është qëllimi. Shteti totalitarist qëndron mbi individin dhe shpreh superioritet karshi tij. Ky shtet ka interesa që nuk janë të individit.

Stejsi gjykonte se qytetërimit perëndimor i duhej ekuilibri ndërmjet vullnetit dhe arsyes. Vullneti na shtyn drejt veprimit, kurse arsyeja kërkon mjete për këtë qëllim, por pa e përjashtuar humanen. Qëndrimi grek ishte i prerë: arsyeja dhe vetëm arsyeja e ngriti njeriun mbi kafshët dhe prandaj është superiore kundrejt vullnetit. Nëse do të triumfonte teoria e Shopenhauerit mbi arsyen si instrument i vullnetit, atëherë do të cenohej gjithçka që është e vlefshme në jetën e njeriut. Do të ndodhte zëvendësimi i idealeve brenda një qytetërimi, që shpie në kaos. Nëse do ta zëvendësonim idealin për solidaritet me idealin e Niçes për vullnet dhe fuqi, atëherë, me automatizëm, nuk duhej të funksiononin spitalet dhe organizatat bamirëse, sepse Niçe e konsideron të gënjeshtërt idealin për solidaritet.

Për Stejsin qytetërimi është “e mira e organizuar”, është tentimi që nëpërmjet institucioneve të theksohet ajo që njerëzit e një vendi dhe një kohe të caktuar e konsiderojnë si diçka të mirë. Qytetërimi, kështu, është më shumë se sa koncept etik. Është edhe formësim i njëfarë etosi. Etosi është shpirti, kurse institucionet dhe traditat janë trupi i një qytetërimi. Arti, shkenca, filozofia dhe religjioni janë shfaqje karakteristike të qytetërimit, por fondamental mbetet koncepti mbi të mirën. Morali shënjon parimet e jetës së mirë, kurse me “jetë të mirë” nënkuptohet ajo që njerëzit e ndjejnë si të mirë, të shëndoshë, të kënaqshme dhe të lumtur. Të jesh i qytetëruar do të thotë të jetosh më mirë. “Nëse idetë morale kanë të bëjnë me jetën më të mirë, atëherë mund të themi se qytetërimi është ide morale”. Edhe politika, kështu, ka lidhje me moralin, sepse pretendon të sigurojë një jetë më të mirë. Edhe grekët e lashtë mendonin se politika ishte pjesë e moralit…

Stejsi, ky filozof i etikës dhe historian i ideve, shfaqet si mbrojtës i qytetërimit europian. Ai besonte se idealet europiane, gjegjësisht demokracia europiane, ishin më humane, sepse “demokracia perëndimore justifikohet me natyrën njerëzore”. Natyrisht, ka njolla në ndërgjegjen europiane. Kështu ka ndodhur sa herë nuk janë respektuar vlerat fondamentale të qytetërimit perëndimor. Por Europa ka mësuar prej gabimeve të saj…

Nëse jemi të sinqertë kur themi se angazhohemi për idenë dhe integrimin europian, atëherë duhet të respektojmë: vlerën e pakufishme të njeriut, barazinë ndërmjet njerëzve, individualizmin dhe lirinë. Tjetra është vetëm demagogji për përfitime ditore. Nëse themi se e pretendojmë Europën, duhet, në rend të parë, të jemi europianë së brendshmi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button