Greqi, rritet në 74 numri i të vdekurve si pasojë e zjarreve

Rritet në 74 numri i personave të vdekur si pasojë e zjarreve te përhapura në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zjarret që shpërthyen në fushat pyjore në afërsi të rajoneve Rafina dhe Penteli, 20 kilometra në verilindje të Athinës duke u përhapur edhe në rajonet e banuara, shkaktuan një nga fatkeqësitë më të mëdha të zjarrit në historinë e Greqisë.

Dhjetra persona humbën jetën të bllokuar në shtëpitë dhe automjetet e tyre pasi që zjarret u përhapën në një rajon të gjërë për shkak të erave të forta dhe që ndryshojnë kahjen.

Zjarret në Athinë

24.07.2018

Nga ana tjetër është arritur deri tek kufoma e të paktën 5 personave të cilët janë mbytur pasi që kanë hyrë në detë për t’u shpëtuar nga zjarret. Mbi 700 persona janë shpëtuar nga ekipet e Sigurisë Bregdetare me anë të varkave speciale dhe janë dërguar në vendet e sigurta.

Zëdhënësja Shërbimit të Zjarrëfikësit, Stavroulla Malliri, njoftoi se gjatë zjarreve kanë humbur jetën 74 persona, ndërsa 164 janë plagosur prej të cilëve 23 fëmijë. Mendohet mbi 100 persona janë të zhdukur, ndërsa punimet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

Evangelos Bournos, Kryetari i Komunës së Rafina-s, në deklaratën për televizionin SKAI, shprehu shqetësimin se numri i të vdekurve mund të rritet në 100.

Ministria e Jashtme e Polonisë njoftoi se dy turistë polonez kanë humbur jetën nga zjarret.

Një qytezë u fshi nga karta

Qyteza Mati ishte vendi që më së shumti u ndikua nga zjarret. Mbi një mijë shtëpi u shndërruan në hi në qytezën turistike, ndërsa qindra automjete janë në gjendje të papërdorueshme.

Përreth rajonit Attiki ku gjendet edhe kryeqyteti Athinë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve.

Tri ditë zie

Ndërkohë në Greqi është shpallur 3 ditë zie.

Me vendimin e kryetarit të Kuvendit të Greqisë, Nikos Voutsis për shkak të fatkeqësisë së zjarreve, në Kuvend flamujt janë ulur në gjysëmshtizë.

Falënderim për Çavuşoğlun dhe Dimitrovin

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ka falënderuar për ndihmën e ofruar, përkrahjen dhe solidaritetin e shprehur, duke theksuar se “katastrofat natyrore nuk njohin kufij dhe i tejkalojnë kontestet”.

Në një deklaratë nga ministria thuhet: “Shprehim falënderimin tonë të sinqertë deri te ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe te ai i FYROM-it, Nikolla Dimitrov, për reagimin e tyre të shpejtë që të ofrojnë mjete ajrore për shuarjen e zjarreve vdekjeprurëse në rajonin e Atikës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button