Wizz Air do të hap 300 vende pune të reja në Maqedoni

Aviokompania hungareze Wizz Air me subvencione nga Qeveria paralajmëroi operim të gjashtë destinacioneve të reja nga Maqedonia me çmime të cilat në një drejtim me taksa të kyçura të aeroportit do të sillen prej 8.99 deri në 17.99 euro.

Pas firmosjes së Marrëveshjes për subvencionim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, nënkryetari ekzekutiv i Wizz Air Xhon Stivenson informon se investimi për fillimin e operimit të destinacioneve të reja do t’i kushtojë 80 milionë dollarë që do të shoqërohet me hapjen e 300 vendeve të reja të punës.

Prej 28 tetorit të këtij viti Wizz Air duhet të fillojë me fluturimet nga Shkupi drejt Dortmundit dhe Ajnhovenit, ndërsa çmimi i biletave të cilat tashmë janë në shitje në një drejtim me taksë të kyçur do të kushtojë 12.99, gjegjësisht 17.99 euro. Dy herë në javë aviotransportuesi hungarez do të qarkullojë drejt Malmes, Milanos dhe Munihut nga 29 tetori, për ku biletat do të kushtojnë nga 17.99 euro dhe 8.99 euro. Tre herë në javë Wizz Air do të qarkullojë deri në Bazel nga 30 tetori, ndërsa çmimi i biletës është po ashtu, 17.99 euro. Nga vera e ardhshme, sipas Stivenson, Wizz Air do të vendos fluturime edhe drejt Brukselit, ndërsa mendohet të ketë fluturime edhe për në Romë dhe Barcelonë varësisht nevojave të qytetarëve. 

Planet e aviokompanisë janë që të angazhohen të punësuar nga popullata lokale. Fillimisht kuadri i pilotëve do të jetë nga jashtë, por më pas planifikohet angazhimi edhe nga Maqedonia. Për subvencionimin e Wizz Air, Qeveria e Maqedonisë në pajtim me Marrëveshjen e firmosur trevjeçare do të ndajë 306 milionë denarë.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski vlerësoi se destinacionet që vendosen janë atraktive dhe do t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve për lidhjen me Evropën. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button