Ozil – futbollisti që nxiti debat për racizmin, integrimin dhe diversitetin

Vendimi i futbollistit gjerman, Mesut Ozil, për të lënë ekipin kombëtar për shkak të, siç ka thënë, “racizmit dhe mosprespektimt të rrënjëve të tij turke”, ka nxitur debat publik për marrëdhëniet e Gjermanisë me komunitetin më të madh imigrant, njofton REL.

Politikani gjerman me origjinë turke, Cem Ozdemir, tha se do të jetë e vështirë për kreun e Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, të mbetet në detyrë, duke shtuar se largimi i Ozilit mirëpritet vetëm nga ata që e kundërshtojnë diversitetin.

“Grindel nuk pasqyron gjerësinë e futbollit në Gjermani. Do të jetë e vështirë për turqit gjermanë apo për kroatët gjermanë të ndjejnë se Federata Gjermane e Futbollit është e tyre”, tha Ozdemir.

Gokay Sofuoglu, udhëheqës i komunitetit turk në Gjermani, bëri thirrje për dorëheqjen e Grindelit, duke thënë se “diversiteti në ekipin kombëtar ka qenë një projekt i madh, që tani rrezikohet për shkak të liderëve të paaftë”.

Federata Gjermane e Futbollit i hodhi poshtë akuzat për racizëm dhe tha se ka qenë e përfshirë në integrimin e të huajve në Gjermani për shumë vite.

Ozil, cili luan për klubin anglez Arsenal, njoftoi se nuk do të luajë më futboll ndërkombëtar për Gjermaninë. Njëzetenëntëvjeçari tha se trajtimi që i ka bërë Federata Gjermane e Futbollit e ka shtyrë atë që “të mos e veshë më fanellën e kombëtares gjermane”.

Në muajin maj, Ozil është kritikuar pasi është fotografuar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në një ngjarje në Londër. Ozil ka marrë pjesë në atë ngjarje bashkë me futbollistin tjetër të kombëtares gjermane, Ilkay Gundogan, po ashtu me prejardhje turke.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button