Aplauz për dr. Maja Mojsova Mijovska!

Qeveria e paska caktuar dr.Maja Mojsova Mijovska për koordinator nacional për transplantim, vetëm 6 muaj qëkur ajo ishte zgjedhur udhëheqëse e Departamentit të Anestezionit, reanimacionit dhe kurimit intenziv në Klinikën shtetërore – Shkup. E lexova si titull dhe vazhdova më tej për lajmet tjera më të reja. Maja Mojsova, Maja, Maja, drejtoreshë e KARIL. U ktheva tek titulli, hapa lajmin, 3 rreshta lajm dhe gjithe ekrani u mbush me foton e saj, e buzeqeshur nga veshi me vesh, e veshur në të bardha, ndoshta me uniformen e mjekes. Po, ata që nuk kanë kaluar asnje minutë e lëre më ditë, apo muaj ne korridoret e Departamentit intenziv në klinikën shtetërore do të mendonin se duhet të bëhet fjalë për ndonjë mjeke të vyer, ambicioze, punëtore, me vizion, e cila në postin aktual si udhëheqëse e departamentit intenziv në periudhë 6 mujore ka shkëlqyer dhe tani po ngjet shkallët e karrierës së saj lart e më lart.

Reparti intenziv të cilin Maja e udhëhoqi është stacioni i parafundit i pacientëve, ku të afërmit e pacientit çdo ditë, çdo orë të ditës, po dhe të natës shohin horrorin që ndodh në këto korridore derisa presin një informatë, vetëm një fjalë: do të mbijetojë apo jo më i dashuri i tyre brenda mureve te sallës ku ndodh masakra në plot kuptimin e fjalës. Në sallën e repartit intenziv ku shërben për rikthimin në jetë të aksidentuarve, të sëmurëve rëndë gati të dorëzuar nga jeta, ndodh masakra fizike dhe psiqike e pacientëve. Po pate “fatin” të hysh për të vizituar më të dashurin tënd që cdo frymë e tij është luftë për të vazhduar jetën, do të shohish:

Në dyert e “ferrit” nga jashtë shkruan me shkronja të mëdha se ËSHTË E NDALUAR FUTJA E USHQIMIT. O Zot. Aty cdo anëtar i familjes të çdo pacienti sjell litra e litra lengjesh, cokollada nga më të shtrenjtat, lejthia e uiski për motrat medicinale e teknikët medicinal me shpresën e lutjen në sytë e tyre që të kenë kujdes më të madh për të afërmin e tyre të shtrirë në shtratin, para vdekjes ndoshta. “Të vuajturit ata”, nga pagat e ulëta e “punë shumë”, e zgjasin dorën për të marrë lajthiat e uiskit pa pikë turpi, pa pikë skuqjeje, pa pikë etike as frike, në mesin e gjithë njerëzve aty. Por pa rezultat. Asgjë nuk ka përmirësime brenda sallës. Harrojnë amanetin e lutësve jashtë. Atje vazhdohet me masakrën fizike e psiqike. E dinë shumë mirë këtë ata “fatlumët” që futen për vizitë 1 minutëshe tek pacienti. Ata vetëm mund të më kuptojnë për çfarë shkruaj.

Në dyert e sallës së horrorit nga jashtë poashtu me shkronja të mëdha shkruan “Nëse kërkohet nga ju të bleni për pacientin ndonjë medikament paraqitni rastin në numrin XXXXXXX “. Po më tallni! Vërtet! Mossss. Që ditën e dytë mjek dhe motra medicinale më kanë lajmëruar për të blerë për më të dashurin tim që ishte mes jetës dhe vdekjes (por ai zgjodhi jetën) gjërat më banale që thonin se nuk i posedonin në klinik. E kuptoni momentin, kur ti je në pritje të një lajmi për pacientin tënd aty dhe poqese mjekët të kërkojnë të sjellish dhe nga Amerika ndonje medikament ti je në gjendje ta sellish brenda 1 ore? Kjo, me plot përgjegjsi morale dhe juridike e them, ishte përditshmëri në Repartin intenziv me të cilin udhëhiqte drejtoresha tanimë e avansuar ne koordinatore Maja.

Në këtë repart ku ishte e ndaluar të futeshe në sallën e pacientëve në kurim intenziv, ngaqë nga jasht mund të fusje bakterie dhe viruse e me këtë rrezikoje fort shëndetin edhe ashtu në rrezik të pacientëve të shtrirë. Por, ama…po të ishe “Majkata na Kiril” kjo rregull thjesht nuk egzistonte. Thjesht. Dhe pastaj…për ta parë dhe ti më të dashurin tënd pacient filloje dhe ti të gjesh dikë që do të ndikonte tek ata “zotrat”, motrat medicinale e mjek që të dilnin të të thrrisnin dhe ty si “Majkën e Sashës” e të të lejonin ta puthje në ballë “Sashën” tënd. Nejse…edhe po të lejohej, numërohej. Majkata na Sasha mundeshte saherë që e merrte malli për të birin, shkonte ta puth njëherë djalin në komë.

Në këtë repart, kur futesh dyerve për të hyrë në sallë dhe parë pacientin tënd, pas 5 metrave të ecura korridorit drejt sallës në anën e majtë ke “dhomën e pushimit e kënaqësisë” së motrave medicinale e teknikëve, nën shoqërinë e ndonjë mjeku kujdestar më liberal duke ngrënë badema, lejthia, bajadera e duke parë video qesharake në Youtube, motra mbështetur kokën në shpatullën e teknikut…duke qeshur sikur janë në teatër duke parë shfaqjen më komike…vazhdon përpara, me rrahjet e zemrës që i dëgjon tek veshët se po i afrohesh pacientit tënd, më të dashurit tënd. Hapi i parë brenda në sallë. Sheh fytyrën e pacientit tënd në mesin e 50 pacientëve aty dhe sekondin e parë ballafaqohesh me këtë: Një plak me qehre vdekjeje që mezi, mezi lëshonte zë i thonte ca motrave të grimosura si për pub se ishte shumë i etur dhe për një sekond dëgjon një të gërthitur nga njëra motër “A nuk e sheh që jemi të zëna, morreee po sa i mërzitshëm që je”. Ulish kokën për mos iu penguar prezenca yte se egzistonte mundësia të të çarraviteshin vetëm për të larë nga vetja ndonje frustracion, thjesht. Afrohesh tek fytyra e zverdhur e pacientit tënd dhe shohish mbulesën e jastëkut të përfshirë në gjak të tharë të pa ndërruar që nga nata e pranimit, nga aksidenti. Çarçafi i pandërruar, me gjak të tharrë, që nga nata e pranimit. Shikon anash raftet me barna, rreth e rrotull shëtisin insekte të pështira, po, insekte, ju betohem. Pacienti me thonjët e papastruar, e as duart, as trupin, që nga nata e aksidentit. Të qahet, të piskllohet, nuk guxon, se irriton motrat e ke frikë se nuk do të kujdesen për pacientin tënd e se do të ndikojnë dhe te mjeku kujdestar për të të mos lejuar më kurrë të futesh aty. Hesht. Hesht. Çdo ditë hesht. Çdo dite i njëjti çarçaf, e njëjta nënkresë, të gjakosura, të pista, pacienti me plagë të hapura, me rrezik të lartë për infektim nga mbulesat e pandërruara, që edhe ndodhi pas 2 javësh.

Për të përshkruar shërbimet e këtij departamenti duhet të shkruaj çdo ditë nga një letër të tillë, për një muaj rresht, pa e egzgjeruar fare e them këtë.

Në këtë klinikë, në këtë repart të udhëhequr nga Maja, lutem për të gjithë, dhashtë Zoti kurr të mos futeni. Ndërsa unë, me vënien si koordinatore nacionale për transplantim të aspak të respektuarës, aspak të suksesshmes në detyrën e mëparshme Maja Mojsovës, aspak nuk besoj e shpresoj në reforma në shëndetësi. Ndërsa do të doja shumë.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Uroj autoren e këtij tekstin, për guximin qe thegon per rastin e dhimbshem i saj dhe e inkurajoj që ta përkthejë ne gjuhën maqedonase, si dhe t’ia drejtoje koordinatores tashme, me një dedikim publik. Këto raste aspak të dëshiruara, ose të ngjashme, fatkeqësisht i kemi perjetuar në plot nga hapësirat mjekësore, duke u ballafaquar me mjekë që e kanë humbur sensin e njerëzimit. Ata duhet të vetëditësohen, që, jo vetëm që është detyra e tyre e parë të kujdesen për pacientët – gjë që e paguajm nga pagat tona në bazë mujore (dhe nuk e kuptoj se pse e bëjme?!), por që duhet t’ju nënshtrohen masave ligjore në lidhje me këto çështje. Me udhëheqësen në krye.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button