Veseli i fton në takim udhëheqësit e të gjitha partive, kërkon arritjen e konsensusit për dialog

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar sot udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare në një takim të përbashkët me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Veseli ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër në orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës.

Por, në këtë takim, me sa duket do të jenë të pranishëm vetëm partitë e koalicionit qeverisës dhe jo edhe ato të opozitës.

Koha.net ka kontaktuar me deputetin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se ky takim i thirrur është veçse improvizim dhe se LDK-ja nuk do të shkojë.

“LDK-ja e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Ne konsiderojmë se institucionet e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin për të trajtuar këtë çështje me interes nacional. Prandaj kërkojmë zgjedhje të reja para dialogut. Nuk mund të pranojmë situatën e tanishme ku Qeveria abstenon nga obligimi i saj kushtetues për të udhëhequr me dialogun, e në anën tjetër Presidenti tejkalon kompetencat e veta kushtetuese dhe imponon veten në këtë dialog. Prandaj ne pranojmë vetëm zgjedhjet e reja dhe asnjë improvizim tjetër. Ky takim është veçse improvizim. Tryezat e spektrit të brendshëm politik janë shterur tashmë dhe nuk kanë më kuptim”, tha Abdixhiku në një përgjigje për Koha.net.

Në anën tjetër, deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kadri Veseli bashkë me Hashim Thaqin, në 2017-ën, pa paralajmërim e quan vendin në zgjedhje dhe dërguan LDK-në në opozitë, duke thyer gjitha marrëveshjet të shkruara e të pashkruara.

“Ata e deshën LDK-në në opozitë, prandaj lëreni LDK- në të luajë rolin e saj opozitar. Ne sjemi servis i tyre, kur të ju duhemi në raste, të shndërrohemi në makina të votimit. Sot 42 deputetë shqiptar udhëheqin vendin me pakicat destruktive kurse nga 58 deputetët shqiptarë presin t’iu rrimë gaditu me votat tona në keqeverisjen, zhvatjen dhe zhbërjen e shtetit. Koha është për tryezë për zgjedhje e jo për zgjidhje”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Portali Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me deputetë të VV-së dhe PSD-së, për të mësuar se a do të pranojnë të shkojnë në këtë takim, por nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, kujtojmë se thirrjeve për një konsensus dhe kompromis të brendshëm politik rreth kësaj faze të dialogut, spektri politik opozitar vazhdimisht u është përgjigjur negativisht.

Ndërkaq, takimi i thirrur nga Veseli për të hënën do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik do të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1.

Ftesa e plotë

Me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që në këtë proces të rëndësishëm të kemi pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, kam kënaqësinë t’iu ftojë në një takim të përbashkët mes udhëheqësve të partive politike parlamentare.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, njohjen reciproke, si dhe të sigurojë ulësen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar dhe i përgatitur.

Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm.

Takimi i radhës mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet në fillim të muajit shtator në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button