Tiranë, grabitet me armë një dyqan veshjesh

Fenomeni i grabitjeve me armë vijon të shkaktojë panik tek qytetarët e Tiranës. Pas grabitjes në rrugën “Jordan Misja”, një tjetër grabitje me armë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në një dyqan veshjesh në rrugën e Kavajës. 

Një person i armatosur ka hyrë i armatosur në një butik, përballë Muzeut të Shkencave të Natyrës, dhe nën kërcënimin e armës i ka marrë shitëses një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra. 

Burime nga policia konfirmojnë se nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa autori është larguar në drejtim të paditur. 

Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. 

GRABITJA NE RRUGEN “JORDAN MISJA”
Një familje është grabitur nën kërcënimin e armës në orët e para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 në rrugën “Jordan Misja”. 

Një person i maskuar dhe i veshur me rroba të zeza dhe me dorashka është futur në banesën e shtetasit Petrit. K dhe nën kërcënimin e armës, e dyshuar automatik, e ka detyruar këtë të fundit të hapte minimarketin që kishte në pronësi dhe ka arritur të marrë një sasi të konsiderueshme parash, karta telefonike, paketa cigaresh dhe sende të tjera me vlerë. 

Sipas policisë, grabitësi dyshohet të jetë ndihmuar dhe nga persona të tjerë të cilët e prisnin me një automjet jashtë shtëpisë së grabitur. 

Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar nga kjo grabitje. Ndërkohë vazhdojnë hetimet nga komisariati numër 3 për kapjen dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes. /Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button