Pantera në podrum: vija ndarëse mes tradhtisë së mikut dhe miqësisë me armikun

Është vera e vitit 1947, në Jerusalem, dymbëdhjetëvjeçari Profa është tërësisht i fiksuar me politikën dhe dëshirën për të përfunduar okupacioni britanik. Retorika luftarake që e rrethon, e ka shndërruar atë në fanatik, andaj gjithë kohën kurdis plane se si t’i dëbojë armiqtë e shumë urryer nga vendi i tij. Me shokët themelon organizatën ilegale LoV (Liri ose vdekje) e cila numëron vetëm tre anëtarë dhe ka plane ambicioze për të ndërtuar raketën me të cilën do ta bombardojnë Parlamentin britanik.

Fati deshi që një mbrëmje të mbetet në rrugë pas fillimit të orës policore. Në shtëpi e përcjell rreshteri dashamirës anglez Stephen Dunlop, i cili mbi të gjitha ka dëshirë të mësoje  gjuhën hebreje. Me të mësuarit e gjuhës fillon një miqësi mes fëmijës dhe rreshterit, ndërsa kjo miqësi bie ndesh me të gjitha idetë e Profës për armikun.

A e bën kjo miqësi Profën tradhtar? Apo ndoshta një hero të pajtimit mes dy popujve? Sidoqoftë, për fatin e tij të mirë apo të keq, nuk shndërrohet në panterë në podrum, si heroi i filmave të tij të preferuar të aksionit.

Padyshim një ndër veprat më të bukura të Amos Oz, Pantera në podrum është një tregim madhështor mbi të kuptuarin e tjetrit, për atë se kur mbarojmë së qenit fëmijë dhe bëhemi të rritur, roman i cili flet për urrejtjen dhe për atë se si ta tejkalojmë.

Amos Oz ka stil tejet të kuptueshëm dhe shkruan rrjedhshëm. Mjeshtëria që ka në përdorimin e fjalëve dhe dashuria e tij ndaj fjalës së shkruar vërehet rresht pas rreshti, e kjo e bën leximin ende më të këndshëm dhe njëkohësisht interesant. Përzemërsisht ua rekomandojmë!

Për fat të keq, libri akoma nuk është përkthyer ne shqip, por atë mund ta gjeni në të gjitha gjuhet më të rëndësishme botërore. Gjithashtu mund të shihni edhe filmin i cili është bërë në bazë të këtij romani: Tradhtari i vogël  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button