SI MËSOHET LETËRSIA NË SHKOLLË?

Të flasish për mënyrën se si mësohet letërsia shqipe në shkollat e Maqedonisë është çështje që, para së gjithash, kërkon njohjen e drejtpërdrejtë të situatës në terren. Si këshilltar i pavarur pedagogjik për lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi kam pasur fatin që, përgjatë një dekade, ta njoh terrenin në fjalë. Gjatë asaj kohe kam asistuar në qindra orë mësimore dhe kam përgatitur po aq raporte profesionale për cilësinë e tyre, përfshirë këtu sugjerimet për përmirësimin e procesit të mësimdhënies në fushën e ndjeshme programore të letërsisë. Mbështetur në këtë përvojë – në vëzhgimet e bëra, në kontaktet e shpeshta me arsimtarët, aktivet profesionale të lëndës dhe drejtuesit e shkollave, i jap vetes të drejtë të konstatoj se, gjykuar në tërësi, mësimi i letërsisë në shkollat tona lë për të dëshiruar dhe ka mundësi të jetë më me nivel, duke pasur parasyshë të dhënën se një numër i konsiderueshëm arsimtarësh janë të përgatitur dhe të përkushtuar ndaj profesionit që ushtrojnë.

Në dallim nga e shkuara kur arsimtarët shqiptarë ndiqeshin e diferencoheshin nga diktatura moniste…, sot jetojmë në rrethana më të relaksuara dhe nuk i eliminon kush autorët më të mirë nga tekstet shkollore, nuk ka kush i heq nga raftet e bibliotekave shkollore librat shqip, nuk ka kush e pengon arsimtarin të përzgjedhë cilëndo njësi letrare të përfshirë në tekstet bazë, apo në ndonjë burim tjetër shtesë, të nevojshëm për mësimin sa më cilësor të letërsisë. Shi për këtë, pritjet për ngritjen e cilësisë së shkollimit përgjithësisht, në kuadër të saj edhe të mësimit të letërsisë, kanë qenë më të mëdha se rezultatet modeste. Këtë e kanë kushtëzuar një sërë dobësishë institucionale që kanë lënë jashtë kujdesit gjëra të rëndësishme, të cilat nuk mund të kompensohen me aktivitete dytësore që i kanë shdërruar punëtorët e arsimit në administratorë, me gjëra që s’kanë të bëjnë fare me menyrën dhe kualitetin e realizimit të programeve mësimore – me esencën e veprimtarisë fisnike të arsimtarëve.

Po sjell në vijim disa prej shkaqeve me ndikim të drejpërdrejtë në mënyrën e mësimdhënies së letërsisë, përkatësisht, në uljen e cilësisë së punës së arsimtarëve të kësaj lënde dhe reflektimin e gjithë kësaj në kompetencat e nxënësve (njohuritë, shkathtësitë dhe aftësitë e tyre konkrete), pa pretenduar se do t’ia dalim të evidentojmë gjithë problemet e akumuluara ndër vite.

Po ndalem fare shkurt në tre elementet kyçe, që, sipas mendimit tim, ndikojnë në cilësinë e mësimit të letërsisë nëpër shkolla:

  1. Kualiteti i programeve mësimore

Për përgatitjen e programeve mësimore, kudo në Evropë jepen afatet e duhura dhe formohen ekipe profesionistësh, të cilët angazhohen me muaj të tërë për të ardhur gjer tek një program i pranueshëm, me qëllime të përkufizuara qartë, me kërkesa e detyra të përshtatshme për moshën dhe mundësitë e nxënësve, me aparatura të përkryera profesionale didaktike… Se është kështu, mjafton të hapen VEB-faqet e ministrive të arsimit të disa shteteve përreth nesh, ku mund të shihet se ekipet që përgatisin programe mësimore përbëhen prej dhjetra ekspertësh të fushës së gjuhës e të letërsisë, pedagogjisë dhe metodikës. Kjo nuk ndodh në Maqedoni, ku jepen afate tejet të shkurtëra për përgatitjen e programeve dhe formohen ekipe minore prej 4 anëtarësh – dy profesorë universitarë dhe dy mësimdhënës të shkollave fillore apo të mesme, në varësi të programeve që përgatiten.

  1. Cilësia e teksteve bazë të lëndës dhe burimeve shtesë (revistave, teksteve ndihmëse, fletoreve të punës, dorracakëve për arsimtarë…)

Njësoj si programet mësimore, edhe tekstet e letërsisë dhe gjuhës përgatiten për afate tepër të shkurtëra kohore dhe shpesh nga autorë jokompetentë për të dy fushat kyçe programore të lëndës (gjuhës dhe letërsisë), që botohen si një libër i vetëm i ndarë në dy pjesë.

Mjerisht, në dallim nga e shkuara, kur njohësit kompetentë të letërsisë ishin autorë të librave të leximit dhe njohësit kompetentë të gjuhës autorë të gramatikave, viteve të fundit ka pasur raste kur profesori i letërsisë është bërë autor i tekstit të gjuhës… Abuzimet janë të dukshme edhe në rastet kur, për ta plotësuar kriterin e bashkautorësisë, autori i vërtetë i një teksti mësimor vë pro forma pranë emrit të tij edhe një emër krejtësisht anonim dhe të padëshmuar në fushën për të cilën ka përgatitur libër shkollor…

Për mendimin tim, ka dështuar edhe botimi i 3-4 teksteve paralele të lëndës në fjalë për secilin vit mësimor të nxënësve të fillores, me idenë që arsimtari të ketë mundësi të zgjedhë tekstin me të cilin do t’i arrijnë më lehtë qëllimet e programit mësimor. Mjerisht, ka pasur raste kur për përzgjedhjen e teksteve kanë vendosur  drejtuesit e shkollave, të rënë nën ndikimin e botuesve…

Problem më vete janë tekstet e stërmbushura me krijime autorësh për të rritur, në një kohë kur nxënësit duhet të lexojnë vepra që i përshtaten moshës së tyre, si ato të Odhise Grillos, Gaqo Bushakës, Ferit Lamajt, Vehbi Kikajt, Rifat Kukajt a të ndonjë tjetri, që është dëshmuar si krijues letrar.

Po përmend këtu dhe problemin e mungesës së lektyrave shkollore, të cilat arsimtarët përpiqen t’i kompensojnë me librat e bibliotekave të varfëra shkollore, shpesh me përmbajtje të papërshtatshme për realitetin e sotëm… Kjo e pengon ngjalljen e dëshirës për lexim dhe dashurinë për librin, nuk i jep krah spërhelljes së shijes estetike, formimit dhe përgatitjes graduale të kuadrove të ardhshëm…

  1. Mungesa e ndihmës profesionale për arsimtarët

Mungesa e këshilltarëve pedagogjikë i ka lënë mësimdhënësit e letërsisë dhe gjuhës shqipe pa ndihmën e domosdoshme për kapërcimin e problemeve, në një kohë synimesh për ndryshimin e sistemit arsimor të vendit, i ka vënë ata në pozitë krejtësisht të pabarabartë në raport me kolëgët e letërsisë maqedonase. Ata ndihen të braktisur nga sistemi mu atëherë kur duhet të zbatojnë në praktikë të dhënat e shumta teorike të absorbuara nëpër seminaret e organizuara gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ka bërë që një pjesë e arsimtarëve të vazhdojë me mësimdhënien eks-katedra, të mbështetur në aftësitë kognitive (në mbamendjen e nxënësve), që në shkollat perëndimore është shkalla që siguron vetëm notën minimale kaluese.

Mungesën e ndihmës institucionale e ndjejnë në veçanti arsimtarët e vyeshëm, të cilët synojnë ngritjen graduale të kulturës letrare e gjuhësore të nxënësit, aftësimin e kumunikimit me gojë dhe me shkrim, paisjen me çelësat e nevojshëm për të komunikuar natyrshëm me tekstet letrare, kultivimin e shijes estetike dhe mendimit kritik, formimin e konceptit të drejtë ndaj artit dhe letërsisë, mbjelljen e dashurisë për librin dhe dijen përgjithësisht… Pa këtë përqëndrim në aftësimin konkret të nxënësit, mësimi bëhet i mërzitshëm dhe i parëndësishëm, letërsia shndërrohet në shkencë ekzakte, që mund të përvetësohet edhe nëpërmjet përkufizimeve që e shablonizojnë prosesin mësimor.

Megjithatë, përkundër të gjithave mendoj se ka rugëdalje nga kjo situatë, nëse:

  • përgatitja e programeve dhe teksteve mësimore u besohet ekspertëve më të mirë të fushës në nivel kombi, sepse letërsia dhe gjuha shqipe janë një për të gjithë shqiptarët…;
  • kohëzgjatja e përgatitjes dhe numri i ekspertëve që do t’i përgatisin programet dhe tekstet mësimore do të jetë të paktën i përafërt me kohëzgjatjen dhe numrin e ekspertëve që, fjala vjen, përgatisin programet dhe tekstet mësimore në Kroaci;
  • miratimit të programeve dhe teksteve mësimore do t’i paraprijë debati publik i palevë të interesuara (mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, tregut të punës…), që sigurisht do të ndikojë në cilësinë e tyre;
  • zbatimi praktik i programeve të reja do të shoqërohet me trajnime cilësore të kuadrit mësimor nga ekspertë të fushës;
  • do të respektohen mendimet profesionale të ekspertëve për cilësinë e teksteve bazike shkollore dhe burimeve plotësuese, ku bëjnë pjesë dhe revistat letrare për nxënës…;
  • do të punësohen këshilltarë pedagogjikë për lëndën Gjuhë shqipe dhe letërsi, të përzgjedhur nga radhët e mësimdhënësve të dëshmuar;
  • do të gjenden mekanizma stimulues që edhe arsimtarët e lëndëve të tjera të respektojnë standardin aktual të shqipes, sepse çështja e përvetësimit të gjuhës është e ndërlidhur ngushtësisht me letërsinë…;
  • do të botohen lektyrat shkollore për ciklin e lartë të shkollës fillore nëntëvjeçare (për ciklin e ulët gjendja është pak më e mirë), për gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale 2 dhe 3 vjeçare, në përputhje me frymën e dhe nevojat e kohës…;
  • do të gjenden mënyrat e pasurimit të bibliotekave shkollore, që aktualisht janë në gjendje të mjerueshme;
  • do të realizohen orët shtuese me nxënësit e talentuar për fushën e letërsisë (të mbahet mësim i diferencuar, me udhëzime e detyra në përputhje me talentin e tyre…);
  • realizohen me rregull aktivitetet e lira dhe funksionojnë grupet e recitatorëve, letrarëve dhe aktorëve të rinj…;
  • botohet (aty ku ka mundësi) revista shkollore, që do t’i motivojnë nxënësit krijues dhe do ta thejë monotoninë e aktiviteteve…;
  • organizohen gara të niveleve të ndryshme (përfshirë këtu edhe garat e nivelit kombëtar) me talentët letrarë dhe, natyrisht:
  • nëse rriten pagat e arsimtarave, që aktualisht luftojnë për ekzistencë…

Të shpresojmë se qeveria dhe pushteti aktual do të fokusohen ndryshe në problemet e ndjeshme të arsimit, me çka gjithsesi do të përmirësohet edhe  mësimi i letërsisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button