fbpx

“Kroacia mbështet perspektivën evropiane në të gjithë rajonin”

Në vijim të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku deklaroi se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Kitaroviç tha se Shqipëria dhe Kroacia janë të lidhura fizikisht me Detin Adriatik.

“Shqipëria ka qenë vendi ynë mik, kur miqtë ishin të paktë dhe më të nevojshëm. Gjatë luftës dhe mbrojtjes sonë shumë shqiptarë u bënë pjesë e forcave të mbrojtjes kroate dhe luftuan për pavarësinë e Kroacisë”, tha Kitaroviç.

Sipas saj, shqiptarët në Kroaci janë tërësisht të integruar dhe janë qytetarë të respektuar të shoqërisë kroate.

“Ata janë një shembull i mrekullueshëm se si pakicat mund të bëhen një urë e rëndësishme për përfitimin e të dy kombeve. Mënyra se si ata e duan dhe respektojnë Kroacinë, në të njëjtën kohë duke qenë krenarë dhe shqiptarë patriotë është një shembull i shkëlqyer i ndikimit pozitiv që ka pasur në marrëdhëniet e vendeve tona”, u shpreh presidentja kroate.

Më tej gjatë fjalës së saj, Kitaroviç tha: “Kroacia dhe Shqipëria marrin pjesë si aleate në misionet e paqes dhe operacionet në zonat e krizës, siç është Afganistani. Kroacia i jep një rëndësi të madhe stabilitetit, sigurisë dhe begatisë së Evropës Juglindore dhe mbështet fuqishëm perspektivën evropiane në të gjithë rajonin. Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm, jo vetëm strategjik, por edhe politik dhe kjo gjë është pranuar dhe njohur edhe nga BE-ja”.

Duke folur për rrugën evropiane të Shqipërisë, Kitaroviç tha se Kroacia e mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe mirëpret të gjithë progresin e dukshëm të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësimin në BE.

“Shqipëria ka perspektiva të shkëlqyera dhe është mjaft e rëndësishme të theksohen shembujt pozitiv dhe BE duhet t’i vlerësojë për këtë gjë. Do të doja t’ju përgëzoja gjithashtu edhe për vendimin e Këshillit Evropian, i cili e ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria dhe kjo shtron rrugën për çeljen e negociatave në qershor të vitit 2019”, deklaroi Kitaroviç.

Më tej gjatë fjalës së saj, Kitaroviç tha se duhet një bashkim kombëtar për çështjet strategjike, me qëllim që të ruhet motivimi për reformat.

“Në këtë kontekst duhen pranuar dhe njohur reformat që Shqipëria ka bërë deri më sot, veçanërisht ato në fushën e gjyqësorit”.

Në përfundim të fjalës së saj, Kitaroviç u shpreh se Kroacia planifikon të vazhdojë në të njëjtën rrugë përkundrejt zgjerimit të BE-së gjatë presidencës kroate.

“Ne do të investojmë përpjekje të mëdha për të organizuar një samit tjetër ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kroacia do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit në BE të Shqipërisë, duke i ofruar asaj përvojën dhe njohuritë, duke mbështetur ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare, përfshirë forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale”, u shpreh presidentja Kitaroviç.

Presidentja kroate para fjalimit në Kuvend, u takua me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Gjithashtu ajo realizoi një takim edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ndërsa do të vizitojë edhe disa qytete të Shqipërisë.

Ndërkohë, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar homologen kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close