Bekteshi: Po bëhen analiza se a do të ketë kundër masa për doganat nga Kosova

Zbatimi i doganës prej 30 për qind për import të prodhimeve bujqësore në Kosovë nuk nënkupton luftë tregtare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, vlerësoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Masa nuk është drejtuar kundër Maqedonisë dhe ka të bëjë për të gjitha shtetet e botës të cilat importojnë prodhime bujqësore në Kosovë. Duke pas parasysh  të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, kemi për obligim që edhe ne të ndërmarrim masat tona. Ato do të analizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Administratën doganore, por njëkohësisht do të shqyrtohen edhe në përputhje me Sekretariatin e CEFTA-s dhe me anëtaret dhe shtetet tjera”, deklaroi Bekteshi pas takimit me ministrin kosovar të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri.

Ai theksoi se pala e Maqedonisë nuk ishte informuar me kohë për zbatimin e masës dhe shtoi se sipas  Marrëveshjes së CEFTA-s ishte e detyruar që me kohë t’i informojë të gjitha vendet anëtare për qëllimin e zbatimit të doganave. Theksoi se sot do të mbahet takim në të cilin së pari do të analizohen të gjitha implikimet e mundshme ndaj prodhimeve të Maqedonisë, ndërsa pastaj do të ndërmarr qëndrim se a do të vendosen antimasa.

“Si Ministri e Ekonomisë dhe si Qeveri, nuk ishim të informuar, por në bisedë me Sekretariatin e CEFTA-s kuptova se nuk ishin informuar as edhe anëtarët tjerë të CEFTA-s. Sepse Ministria kosovare e Tregtisë dhe Industrisë nuk e kishte informuar CEFTA-n për masat të cilat i kishin parasysh që t’i ndërmarrin të përgjigjen ata, sepse sipas njohurive të mia, pikërisht ata e kishin propozuar masën”, tha Bekteshi.

Ministri kosovar, Demiri theksoi se masa është zbatuar me qëllim që të mbrohen prodhuesit vendor të prodhimeve bujqësore.

“Vendimi nuk ka asgjë kundër Maqedonisë dhe qëllimi i saj është që të mbrohen prodhuesit kosovar të prodhimeve bujqësore. Mendoj se masa është analizuar mirë dhe vlerësoj se do të jetë në interes të prodhuesve tonë dhe se do të ketë ndikime pozitive”, tha Demiri.

Qeveria e Republikës së Kosovës dje mori vendim për zbatim të doganës prej 30 për qind për import të prodhimeve bujqësore në Kosovë. Masa, e cila zgjat 90 ditë, duhet të hyjë në fuqi të premten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button