Ikjet si dukuri endemike në politikë

Maqedonia seriozisht  po i afrohet nivelit të shteteve të çuditshme, atyre që kanë më shumë popullatë jashtë, se sa banorë që jetojnë brenda vendit. Kësisoj shtete të çuditshme në literaturë emërtohen ose me dhomë gjumi ose me arë të lënë. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe në këto terme jemi të ndarë. Kështu, për shqiptarët Maqedonia më shumë është dhomë gjumi, të cilën ata e mirëmbajnë, por në një shtëpi ku ata, për çdo ditë gjithnjë e më pak, kanë zë të artikuluar legjitim. Ndaj, për shkak të kësaj, kjo dhomë gjumi ndonjëherë u ngushtohet, e ndonjëherë nuk e kanë aq të njohur, të tyren dhe intime, sikur që është sipas definicionit çdo dhomë e gjumit.

Nga ana tjetër, për maqedonasit, Maqedonia çdo ditë e më shumë është si një arë e lënë, frytet e së cilës, me pemë të mbjella që më herët, i vjelin disa kushërinj, me zhvillim të vonuar dhe përtacë, ose disa njerëz ose korporata krejtësisht  të huaja. Arën që nuk e lëron dhe e mbjell vet edhe nuk është me rëndësi kush e shfrytëzon, por ajo nuk është rast me arat e veçanta nëpër fshatra. Ara të cilat njerëzit i quajnë ara vakti ose ara denbabaden. Kështu, tradicionalisht, për këto ara, përveç se është me rëndësi që të mos braktisen, është shumë me rëndësi ato të mos shfrytëzohen nga fqinjët e parë, ose nga kushërinj uzurpatorë. Kujdes i veçantë i kushtohet kësaj në fshatrat në Maqedoni, pikërisht për shkak të rrezikut që pas një kohe, ato ara, denbabaden, të merren me pa të drejtë prej tyre!

Por, edhe përkundër daljes së madhe të njerëzve nga Maqedonia dhe sjelljes së çuditshme të tyre ndaj saj, megjithatë, mendoj se përgjigjja më e saktë e pyetjes së madhe “çka është materiali më thelbësor në Maqedoni”  është, megjithatë – njerëzit e Maqedonisë! Kjo megjithatë është kështu edhe përkundër asaj se ne kemi pyje dhe male, lumenj dhe fusha të bukura. Por, edhe për shkak të asaj nëse ka ndonjë padituri më të madhe se ajo që nuk i dimë bukuritë natyrore të vendit tonë, ajo gjë është padituria për njerëzit, këtu dhe prej këtu.

Ja dy, shembuj më pak të vërejtur ditëve të fundit. Shembulli i parë është reprezentuesi zviceran Blerim Xhemaili, i cili vet e pagoi shumën e kotizimit të klubit futbollistik të fshatit të tij të lindjes në Maqedoni, Bogovinë. Edhe vajza e vogël Blerina Seferi nga Shipkovica, e cila tashmë është kampion ballkanik në xhudo dhe refuzon të reprezentojë Gjermaninë, vendin në të cilin jeton, por me zë të dridhur, thotë: Për Maqedoninë, sepse ai është vendi im!
Kjo është një hyrje paksa më e gjatë për atë që mbetet të shkruhet për pyetjet dhe përgjigjet e mëdha për të cilat u kujtuam për shkak të një dukurie të vogël “endemike” tek njerëzit që kyçen në jetën politike në Maqedoni, gjatë dy dekadave të plota pavarësi.  Kjo dukuri ka emra të ndryshëm, por, kryesisht, përbëhet nga ajo që njerëzit, për shkak të disa arsyeve tjera jopolitike dhe stimuleve, e ndryshojnë qëndrimin politik ose fanellën që deri atëherë e mbanin. Duke matur sipas sasisë së kriminalitetit politik, varfërisë ekonomike, jostabilitetit dhe mungesës së pavarësisë së institucioneve, këto raste madje do të konsideroheshin se janë të pakta për në një Maqedoni të këtillë. Por, përveç asaj që i bën të mundshme këto ikje dhe tradhti politike, gjëja interesante për analizë dhe për përmendje janë edhe disa gjëra tjera që i japin madje njëfarë groteske gjithë kësaj dukurie. E para është mungesa e bitisjes apo përjashtimit të vërtetë nga jeta politike. Kështu, sipas Regjistrit qendror shtetëror, në Maqedoni ende ka aq shumë vula të partive politike që, kur në ndonjë ngjarje të organizuar ato vula do të digjeshin, me siguri do të kishte më shumë flakë se e tëra droga e (pa)djegur, e konfiskuar,  nga ana e MPB-së. Karakteristika tjetër themelore, që i jep groteskë shtesë luajtjes së këtillë politikë, është edhe fakti se askush nuk e ngre pazarin e marrjes me politikë. Kështu sipas bursës aktuale politike, askush nuk ka të drejtë legjitime, cilitdo teveqeli të gjallë, i cili do të mund të shqiptojë një fjali të tërë, e e cila në shikim të parë do dukej politike, t’i ndalohet të merret me politikë. Apo të mendoj se ndonjë njeri është harxhuar politikisht për diçka që ka pasur gjatë jetës politike.

Po, si kjo, kur për shembull, zëvendëskryeministër për sistem politik është njeri për të cilin asnjëherë nuk është votuar. Ja, Musa Xhaferi, çdoherë dhe çdokund, ka qenë i kontrabanduar. Ai, në mënyrë qenësore, nuk është votuar madje as në organet brendapartiake. E ai është i njëjti njeri që ishte aty diku, gjatë aferës më të shënuar vendore të kriminalitetit politik, nga ana e institucioneve  dhe organeve ndërkombëtare – afera me telekomin!

Kështu edhe nga ajo pak që tashmë ka përfunduar, nga episodat e këtyre telenovelave të lira politike, mund të mësohet shumë për epilogjet tragjikomike të ikjeve të ndryshme. Atë duhet veçmas ta mësojnë ata që u duket se kanë arsyeje unike për ikje, ata që mendojnë se atë të drejtë e kanë fituar edhe ata që këtë punë e bëjnë para çdo stinori dhe zgjedhje. Mendoj se veçmas këta të fundit duhet të dijnë se tashmë disa gjëra janë prishur në Maqedoni. Kështu, më herët kishte një mit se nuk ngrihet aktakuzë për kryeministër, të mëparshëm ose aktual, se njerëzit mbajnë mend shkurt kohë, etj. Por, tani po shohim se çdo ditë, gjithnjë e më shumë njerëz dhe mediume po arkivojnë, ruajnë dhe mbajnë mend. Ndaj, kur ka shumë kësi që mbajnë mend, pse nuk u bie në mend se do të ketë më shumë edhe prej atyre të cilët nesër do të dinë edhe të dënojnë?!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button