Zaev: Tifo grupi “Komitët” pranuan se kanë marrë para nga biznesmenë rusë

Kryeministri Zoran Zaev, e ka sqaruar deklaratën e dhënë paraprakisht në “BuzzFeed”, se pro-biznesmenë rusë kanë financuar protesta të dhunshme në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Sipas tij, mjetet i janë dhënë tifo grupit “Komitët”.

“Flas në bazë të raporteve që i marr. Ata djelmosha të rinj nga tifo grupi “Komitët” kur i sulmuan zyrtarët policor, kanë qenë të thirrur në bisedë informative dhe aty kanë përmendur biznesmenë nga Rusia që u kanë dhënë para. Unë vetëm e konfirmoj se Maqedonia është vend i vogël dhe duam që të ndërtojmë miqësi me të gjithë, përfshirë edhe Rusinë. Do të thotë se alternativa e vetme për Maqedoninë është BE dhe NATO. Megjithatë, do të kemi kujdes, nuk do të lejojmë që të shkilen marrëveshjet ndërkombëtare, dinjiteti i shtetit është i shumë i rëndësishëm”, deklaroi Zaev.

Kryeministri Zaev, në një intervistë për “BuzzFeed News” ka deklaruar se ka informata për biznesmenë pro rus të cilët tentojnë që ta pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke krijuar protesta të dhunshme, njofton Portalb.mk.

“Shtetas të huaj, të afërt me Rusinë kanë paguar mijëra dollarë që të shkaktojnë dhunë me qëllim që ta pengojnë integrimin e Maqedonisë në NATO”, deklaroi Zaev.

Zoran Zaev

Zoran Zaev

“Një pjesë e tyre janë të lidhur me media, një pjesë i nxisin të rinjtë që të protestojnë përpara Kuvendit dhe t’i sulmojnë policinë. Ajo shihet qartë”, shtoi Zaev.

Ndryshe, javën e kaluar, Qeveria e Greqisë solli vendim që të dëbojë dy diplomatë rus dhe t’ua ndalojë hyrjen, duke i akuzuar se janë përpjekur që të përzihen në punët e brendshme të Greqisë, me qëllim që ta minojnë Marrëveshjen për Emrin.

Diplomatët janë akuzuar për përpjekje që të tërheqin dhe të japin informata, si dhe përpjekje për korruptim të personave zyrtar grek. Sipas burimeve të larta të diplomacisë greke, Athina ka kërkuar që diplomatët menjëherë ta lëshojnë shtetin.

Paraprakisht ka pasur përpjekje të shumta të koordinuara që të përforcohet ndikimi rus në Greqi, mes tjerash edhe nëpërmjet aktiviteteve të Shoqatës Imperialiste Ortodokse Palestineze. Ka pasur edhe qëllim të qartë që Rusia  të përzihet në çështjet sensitive që Marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë të ndikojë negativisht në Ballkan.

Ndaj kësaj, Rusia ka thirrur ambasadorin e Greqisë në Moskë, për të protestuar vendimin e Athinës zyrtare. Ministria e Jashtme ruse përmes një njoftimi ka thënë se ka thirrur në takim ambasadorin Andreas Fryganas për t’i shprehur “kundërshtimin në lidhje me dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe ndalimin që të hyjnë në Greqi të dy diplomatëve të tjerë”.

Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se “qëndrojnë prapa këtij vendimi anti-rus të Qeverisë greke, që ka ndodhur në hapjen e samitit të NATO-s” më 11 korrik.

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë arritur marrëveshjen për emrin, pas pothuajse dy dekadash, duke larguar kështu pengesën kryesore për ish-republikën jugosllave në rrugën për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga Rusia.

Marrëveshja, pos ndryshimeve kushtetuese, parasheh dhe ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Për t’u ndërruar emri, Maqedonia paraprakisht duhet që të mbajë referendum, në të cilin qytetarët do të duhet të vendosin për të njëjtën. Nëse referendumi kalon pozitivisht në Maqedoni, atëherë Marrëveshja duhet që të ratifikohet në Parlamentin e Greqisë.

Zbatimi i Marrëveshjes për Emrin është i lidhur edhe me procesin euro-integrues të Maqedonisë. Në fakt, pa zbatimin e Marrëveshjes Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në BE, por as në NATO, edhe me tanimë ka marrë ftesë për fillimin e negociatave të shkurtra.

“Biznesmenë pro rus, paguajnë protestues të dhunshëm që ta pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button