Maqedonia mbrëmë festoi ftesën për anëtarësim në NATO

Nën moton “Ecim përpara, Maqedonia në BE dhe NATO”, mbrëmë në 15 qytete anembanë Maqedonisë u festua marrja e ftesës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Festimin e qytetarëve e organizoi Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast morën pjesë rreth 40 muzikantë nga Maqedonia.

Në Parkun e Qytetit të Shkupit u mbajt festa qendrore, ku morën pjesë shumë qytetarë, të cilët patën mundësinë të ndiqnin shfaqjet e “Quepurdat”, “Arhangel” dhe Kiril Xhajkovski.

Me qytetarët festuan edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmila Sekerinska, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikola Dimtrov, si dhe disa përfaqësues të trupit diplomatik dhe përfaqësues të partive politike.

Ministri Dimitrov në deklaratën për mediat tha se që nga viti 1993 Maqedonia dëshiron të bashkohet me NATO-n dhe se kanë kaluar 10 vjet që nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, ku Maqedonia nuk arriti të marrë ftesë për anëtarësim ndërsa tani ka një vit historik.

“Kemi arritur të ndërtojmë miqësi me dy vende me të cilat kemi marrëdhënie delikate historike. Nga tensionet kemi bërë miqësi dhe falë asaj rrugët tona po hapen për në NATO dhe kemi një premtim të madh për në BE në qershor 2019”, tha Dimitrov.

“Nëse gjërat shkojnë sipas planit, deri në vitin e ardhshëm në qershor”, tha ministri Dimitrov Maqedonia pret që të bëhet zyrtarisht edhe anëtare e NATO-s.

Ministrja Shekerinska deklaroi se qytetarët e Maqedonisë me vite kanë ndjenjën se në planin politik lëshohen shanset dhe se vendit i kanë ndodhur shanse të këqija, por se sot është një ditë kur dikush mund të thotë se me një përpjekje të përbashkët është bërë diçka.

“Për këtë si shtet kemi dy shanse historike, fillimin e negociatave me BE-në dhe ftesën për në NATO. Le të themi se kur jemi bashkë dimë se çfarë duam”, Ndjenja e gjithëve në Maqedoni është ajo”, tha Shekerinska.

Ndryshe, gjatë festimit qendror në Parkun e Qytetit të Shkupit, një grup i vogël njerëzish erdhën për të protestuar me pankarta në të cilat ishin shkruar mesazhe kundër NATO-s.

Kujtojmë se më 12 korrik, të enjten, gjatë Samitit të NATO-s në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i dorëzoi zyrtarisht kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, ftesën për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në NATO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button