Zaev: Debati për formimin e KSHZ-së në fund të muajit

Debati lidhur me referendumin dhe të gjitha çështjet lidhur me të, mes të cilave edhe formimi i KSHZ-së do të fillojë nga fundi i këtij muaji.

Këtë e paralajmëroi sot kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes për ndihmë shtetërore me përfaqësuesit e kompanisë amerikane Telamon Evropë SHPKNJP Shkup.

“Së pari duhet pasur kujdes momenti i përpilimit të KSHZ-së. Përpilimi i KSHZ-së nuk ka, as nuk duhet të ketë kurfarë lidhje me mbajtjen e referendumit. Ajo është pyetje logjike e cila erdhi pas dorëheqjeve të anëtarëve të KSHZ-së”, tha Zaev.

Përkujtoi se me opozitën është dakorduar që ajo ta ketë kryesimin me KSHZ-në, ndërsa partitë e shumicës në pushtet të kenë katër anëtarë. Shprehi bindje se këto ditë ekipet negociuese do të arrijnë t’i harmonizojnë qëndrimet dhe se nuk do të ketë kushte që do të implikojnë bllokim të referendumit të ardhshëm. Zaev pret formim të shpejtë të KSHZ-së.

Theksoi se KSHZ duhet të formohet menjëherë, sepse ai është obligim i Parlamentit dhe i të gjithë faktorëve politik në shtet.

Në periudhën në vijim do të debatohet edhe për datën e referendumit, çështjen e referendumit, karakterin e tij.

“Qytetarët kanë të drejtë dhe duhet të deklarohen në referendum”, tha Zaev, duke cekur se ka referendume me peshë të ndryshme, por ky ka rëndësi historike, sepse me të do të definohet e ardhmja drejt së cilës synon vendi ynë.

Në pyetjen nëse deri në fund të vitit pret që të ketë 80 deputetë të cilët do t’i zbatonin ndryshimet kushtetuese, Zaev theksoi se ai nuk është qëllim i shumicës në pushtet.

“Besoj se Parlamenti duhet të sigurojë 120 deputetë, nëse vullneti i qytetarëve do të jetë pozitiv në referendum”, theksoi Zaev dhe edhe njëherë shprehi optimizëm se deklarimi i qytetarëve do të jetë pozitiv dhe se shumica e madhe do ta mbështesë të ardhmen e vendit drejt BE-së dhe NATO-s.

Nëse grupet e punës nuk arrijnë të dakordohen, ai si mundësi përmendi takimin e liderëve, por, megjithatë, shprehi bindje se të gjitha çështjet do të dakordohen në nivel të grupeve punuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button