Pse duhet të shkosh në Valbonë këtë verë (FOTO)

Shqipëria është një vend plot surpriza duke mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe detit është një vend ku mund të befasohesh nga kultura dhe nga panoramat e saj natyrore.

Peizazhe shumëngjyrëshe, liqene, male të larta, lumenj, lugina, dete, kjo është panorama që ofron Shqipëria për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend të panjohur më parë, transmeton Kultplus.

Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.

Për turistët e huaj, por edhe për ata vendas, janë disa zona turistike në Shqipëri, që nuk duhen lënë pa u vizituar.

E tillë është edhe Gryka e Valbonës, që gjendet në veri të vendit, në Tropojë.

Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën në të katër stinët.

Pastaj të pret një luginë e bukur që shtrihet mes bjeshkëve të nemuna duke i ndarë malet shkëmborë për të krijuar këtë panoramë kaq të bukur të natyrës shqiptare.

Edhe emri i saj, Valbonë e thotë këtë – Luginë e Bukur… Këtu mund të përjetosh veç bukurive natyrore edhe jehonën e Kreshnikëve, Mujit dhe Halilit… Sipas eposit, Bjeshkët e Nemuna kanë qenë një ndër vendbanimet e tyre, mrizet e zanave.. e plot legjenda të tjera që i dëgjon mes banorëve vendas.

Por, udhëtimi për në Valbonë, në liqenin e Komanit është një ndër udhëtimet më të bukura që mund të bëhet, malet e larta përgjatë bregut, plot gjelbërim e shkrepa të thepisur, mes grykash, një udhëtim si në përralla. Më pas mund të akomodohesh në hanet zonës, shtëpitë e banorëve të vëna në shërbim të turistëve, duke ruajtur traditën dhe duke u shërbyer atyre në mënyrë tradicionale.

Zgjohesh dhe nën rrezet e diellit të mëngjesit të shfaqet përball maja e hekurave, grykët e hapura, Maja e Rodit, Mali i Thatë, të gjithë duken sikur prekin qiellin…

Edhe kthimi është një guidë turistike më vete duke kaluar përmes Gjakovës e Prizrenit, duke vizituar qytetet historike të lidhjes së Prizrenit, pazarin, kalanë etj…dhe në mbrëmje je në Tiranë… Këtë verë kushtoja ca ditë Valbonës së bukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button