Rasti Monstra, agonia vazhdon, gjykatësi merr pushimin

Gati tre muaj pas arrestimit, çështja e të akuzuarve për rastin Monstra mbetet status quo. Më 30 korrik skadon paraburgimi aktual i të burgosurve, ndërsa nuk ka asnjë shpresë se gjykimi do të fillojë pas këtij afati.

“Me siguri që do të vazhdohet paraburgimi, nuk kanë asnjë provë. Nuk ka asnjë zhvillim që tregon se procesi i gjykimit do të fillon shpejtë” – tha për Portalb avokati i të akuzuarve për rastin Monstra, Naser Raufi.

Portalb kupton se gjykatësi i cili udhëheq këtë gjykim do të fillon pushimin më 3 gusht, dhe kthehet më 27 gusht, kështu që vazhdimi i paraburgimit duket i sigurt.

Ky do të jetë 30 ditëshi i katërt paraburgim për të akuzuarit në rastin Monstra. Mos fillimi i gjykimit dhe ndryshimi i deklaratave për posedimin e provave që i lëshonte policia dhe prokuroria sjellin dyshime nëse ekzistojnë fare prova? Këtë e thotë edhe avokati Raufi.
Gjykata ka të drejtë që të vazhdon paraburgimin deri në gjashtë muaj në tërësi, aq sa është maksimumi. Nëse deri atëherë nuk ka prova, të arrestuarit duhet të lirohen.

Nëse gjykimi me qëllim shtyhet deri në skaj të mundësisë ligjore, atëherë gjykimi mund të ndodh në vjeshtë, periudhë e vitit kur vendi merr gjykimin se a ka përparuar drejt euro-integrimeve, respektivisht publikohet raporti i progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian.

Aksioni Monstra u zhvillua mëngjesin e 1 majit. U bastisën disa shtëpi dhe objekte, ndërsa u arrestuan 20 persona. Nga 20 të arrestuarit, vetëm tre akuzohen për rastin Monstra, ndërsa tre të tjerë tashmë janë dënuar për armëmbajtje pa leje. Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk dha përgjigje se cilët nga të arrestuarit kanë luftuar kundër NATO-s në Irak dhe Afganistan, gjë që pati deklaruar më 1 maj vetë Jankullovska, në konferencën për shtyp pas aksionit Monstra./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button