Ademi: Gjuha boshnjake bëhet pjesë e mësimit të rregullt në arsimin fillor

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi, në prezantimin e prioriteteve të ardhshme dhe aktiviteteve dhe nismave të deritanishme që nga marrja e funksionit, bëri të ditur se nga viti i ardhshëm shkollr gjuha boshnjake do të bëhet pjesë e mësimit të rregullt në arsimin fillor 9-vjeçar në Maqedoni, raporton Anadolu Agnecy (AA).

Ministri Ademi theksoi se ai si ministër dhe ekipi i tij në periudhën e ardhshme do të fokusohen në disa prioritete të cilat janë të përcaktuara në dokumentet strategjike dhe programore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Gjuha boshnjake bëhet pjesë e mësimit të rregullt në arsimin fillor 9-vjeçar prej vitit shkollor 2018/2019. Për këtë qëllim tashmë kam nënshkruar planin mësimor për arsimin fillor 9-vjeçar, ku janë përkthyer programet mësimore aktuale për lëndët për klasën e parë dhe është përpiluar programi mësimor për lëndët gjuha boshnjake si lëndë e re. Ndërkohë është hapur konkursi për përpilimin e tekstit shkollor për klasën e parë për gjuhën boshnjake”, deklaroi ministri Ademi, duke përmendur prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ademi theksoi se po ashtu përmes takimeve intensive punojnë në përmirësimin e procesit të përgjithshëm, duke sjellë vendime për lejimin e teksteve të reja për gjuhët e huaja, gjermanishten, frëngjishten dhe anglishten për vitet e katërt në arsimimin e mesëm. Ai shtoi se është sjellë vendim për lejimin e teksteve për gjuhën italiane, që do të mësohet si gjuhë e dytë e huaj prej vitit të ardhshëm shkollor, për të gjitha klasat në arsimin fillor dhe për të gjitha vitet në arsimin e mesëm.

Si prioritete të këtij institucioni për periudhën e ardhshme ai përmendi disa hapa të tilla si miratimi i zgjidhjeve të reja ligjore që të përmirësohet vazhdimisht korniza aktuale ligjore në arsim dhe shkencë, promovimi më i madh i arsimit të mesëm profesional dhe zbatimi i konceptit të arsimit të dyfishtë duke ndjekur shembullin e vendeve të zhvilluara evropiane, ngritjen e cilësisë në arsimin profesional përmes modernizimit të planeve dhe programe mësimore, si dhe përpilimin e teksteve shkollore me përmbajtje më cilësore.

Duke folur për prioritetet e institucionit që drejton ai, Ademi bëri të ditur se këtë muaj filloi zbatimi i projektit për arsimim dhe punësim në Maqedoni, i financuar nga Ambasada e Zvicrës në Maqedoni në vlerë prej 12.5 milion euro.

“Ky projekt do të zbatohet në 10 vitet e ardhshme në disa faza, ndërsa faza e parë do të përfundojë në vitin 2022. Fokusi është vënë në avancimin e arsimit profesional joformal dhe formal në sektorin e teknologjisë, shërbimeve dhe në sektorin e IT-s, ku do të përfshihen të rinjtë e papunë dhe ata të cilët janë të punësuar në vende joadekuate të punës, të moshës deri në 29 vjet, nxënësit në arsimin profesional”, deklaroi ministri Ademi.

Arbër Ademi mori detyrën si ministër i Arsimit dhe Shkencës më 5 qershor të këtij viti, ndërsa më herët ushtronte detyrën si zëvendësministër në këtë dikaster.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Administrata ne arsimin fillor dhe te mesem te udhehiqet vetem ne E-ditar, kurse ai i thjesht te eliminohet tersisht kete vite shkollor.

Leave a Reply to medi Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button