Zaev në Sofje: Ky tubim i rëndësishëm konfirmoi mundësitë e mëdha për investime

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kryeson delegacionin e vendit i cili merr pjesë në Samitin e 7-të të shefave të qeverive nga Procesi i bashkëpunimit mes Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore (16+1) që mbahet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky tubim i rëndësishëm i vendeve të EQL dhe RPK ka konfirmuar mundësitë e mëdha për investime në dispozicion përmes linjave të kreditit me kosto të ulët për të gjithë rajonin nga bankat kineze përmes ‘Rrugës së Mëndafshit’ dhe Procesit 16+1.

Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi të rëndësishme së bashku me ministritë për të paraqitur disa projekte kapitale që janë nga infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, për të cilat mund të krijojmë bashkëpunim, por gjithashtu do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur mundësitë për promovimin e bashkëpunimit kulturor mes Republikës së Maqedonisë, Republikës Popullore të Kinës dhe vendet e EQL-së”, ka thënë Zaev, njofton pres shërbimi i Qeverisë së Maqedonisë.

Ai shtoi se në seancën plenare ai informoi kryeministrat se Qendra për Koordinim dhe Bashkëpunimit Kulturor të Vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore me Republikën Popullore të Kinës do të hapet në mars.

“Republika e Maqedonisë në shtator do të organizojë simpoziumin e pestë të vendeve të EQL dhe RPK në organizatat ‘Think Tank’, dhe në vitin 2019 në organizimin tonë do të jetë takimi i 4-t Ministror për Bashkëpunimin Kulturor që del si angazhim i yni nga procesi 16+1”, tha Zaev.

Këtë vit, Maqedonia dhe Republika Popullore e Kinës kanë shënuar 25 vjetorin nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe në këtë frymë, kryeministri Zaev shfrytëzoi rastin të shprehë mirënjohjen e tij të pakursyer për mbështetjen e Republikës Popullore të Kinës duke theksuar angazhimin e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm.

“Jam i bindur se shumë nisma dhe ide të reja do të dalin nga ky samit, i cili do të forcojë dhe nxisë bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe lidhjen dhe komunikimin midis qytetarëve të vendeve tona”, tha Zaev.

Kujtojmë se delegacioni i Maqedonisë në samitin një-ditor të shefave të qeverive të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës nga procesi 16+1 përbëhet nga Zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button