Gjeorgjia pret mbështetje për integrim sa më të shpejtë në NATO

Presidenti i Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili ka deklaruar se vendi i tij ka bërë një sërë reformash për anëtarësim të plotë në NATO dhe se Gjeorgjia pret mbështetjen edhe të vendeve të tjera për përshpejtimin e integrimit të saj në Aleancën e NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Margvelashvili kryesoi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur në Tbilisi, ku ishin të pranishëm kryeministri Mamuka Bakhtadze, kryetari i Parlamentit Irakli Kobakhidze, ministri i Jashtëm Davit Salkaliani, ministri i Mbrojtjes Levan Izora, ministri i Brendshëm Giorgi Gakharia, kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Davit Rakviashvili dhe zyrtarë të tjerë gjeorgjianë.

Margvelashvili në një konferencë për media pas takimit rikujtoi se më 11 dhe 12 korrik do të mbahet Samiti i NATO-s në Bruksel, në të cilën do të marrin pjesë dhe vendet që nuk janë ende anëtarë të Aleancës, në mesin e të cilave është dhe Gjeorgjia.

“Udhëheqësit e vendeve të NATO-s do të diskutojnë gjithashtu mbi çështjen e sigurisë të Gjeorgjisë. Ne e konsiderojmë se kjo është një e arritur e paparë”, tha presidenti gjeorgjian.

Ai theksoi se vendi i tij ka zbatuar një numër të konsiderueshëm të reformave për anëtarësim të plotë në NATO, dhe se Gjeorgjia pret mbështetjen e vendeve të tjera për përshpejtimin e integrimit të saj në Aleancën e NATO-s.

“Nëse Gjeorgjia bëhet anëtare e NATO-s, rajoni do të jetë më i sigurtë”, tha Margvelashvili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button