Ide për një reformim serioz të sistemit arsimor

Përpjekjet për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoni kanë nisur në vitet e ’90-ta. Gjer më tani kanë rrjedhur shumë projekte, janë mbajtur shumë seminare, janë shpenzuar shumë para, por e gjitha ka rezultuar me rezultate modeste. Dëshmi për këtë janë projektet: “Bazat e demokracisë”, “Parandalimi i dhunës nëpër shkolla”, “Integrimi ndëretnik”, “Forcimi i bashkëpunimit ndëretnik”…, efektet e të cilëve shihen në protestat ulëritëse kundër qenies dhe gjuhës sonë…

Koha e humbur në kërkim të modeleve bashkëkohore të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove për jetën dinamike të së sotmes ka krijuar vakume të dukshme. Shumëçka nuk është në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të epokës dixhitale, kur gjërat vjetërrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për brezat e mbetur peng vorbullash të krijuara prej insititucioneve të thirrura për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në arsim.

Në vijim do të ndalem shkurt në gjërat që duhet bërë për të marë të mbarën arsimi, veçmas arsimi shqip, ndaj të cilit, për shkak të padrejtësivë të së shkuarës, shteti është dashur të bëjë me kohë diskriminim pozitiv…

Pra, jam i mendimit se duhet të: të depolitizohet arsimi në të gjitha nivelet (të shkëputet nga ndikimet e politikës); të ndërpritet diskriminimi financiar i arsimit shqip; të sigurohen kushte për arsimimin e njëjtë të të gjithëve, pa asnjë përjashtim (të mos ketë më mungesa shkollash, shkolla me hapësira të pamjaftueshme, paralele të mbingarkuara, shkolla ku nxënësit shqiptarë mësojnë maqedonisht, tekste me të meta të patolerueshme gjuhësore e përmbajtësore, përpilues tekstesh mësimore pa kompetencë profesionale, fyerje të nxënësve shqiptarë në baza etnike…); të sillen ligje të qëndrueshme, që nuk do të shkaktojnë tensione dhe protesta nxënësish e mësuesish; të hapen më shumë shkolla profesionale në gjuhën shqipe dhe të përgatitet kuadri i nëvojshëm mësimdhënës për to; arsimi të jetë prioritet i shtetit; të rritet buxheti për arsim dhe të jetë i vazhdueshëm, pavarësisht ndërrimit të pushteteve; të kenë kontinuitet ndryshimet pozitive dhe të mos varen prej nderrimit të ministrave; drejtuesit e institucioneve arsimore të jenë apolitikë (ata duhet të jenë profesionistë të dëshmuar të fushës së arsimit, të kenë vizione të qarta, të jenë menaxhues të aftë, ta kenë ndjeshmërinë e duhur për sektorët që drejtojnë dhe për të cilët sjellin vendime të rëndësishme…); të kthehet dinjiteti i arsimtarit – arsimtari të mos jetë objekt i papërfillshëm, por subjekt i rëndësishëm i sistemit arsimor; të mos varfërohet e katandiset edhe më tej, të mos mendojë më për ekzistencë fizike…; të mos turpërohet me dënime nëpërmjet vlerësimeve pa kritere të suksesit të nxënësve;  të mos shndërrohet në punëtor administrativ, që më shumë energji humb për evidentimin e orëve se sa për përgatitjen profesionale;  të mos çorientohet me trajnime të pafundme, efektin e të cilave e mbykëqyrin kuadrot që nuk kanë asnjë lidhje me lëndët përkatëse…; të mos lihet i vetëm në veprimtarinë e tij fisnike, për shkak se numri i profesionistëve të cilët duhet t’i ketë krahë ndihme – këshilltarët pedagogjikë, pedagogët, sociologët, psikologët… është simbolik…; të bëhet reformimi serioz i sistemit arsimor me strategji të mirëmenduar nacionale; të sigurohen mjetet financiare për reformim; të studiohet fillimisht gjendja aktuale e arsimit dhe të hidhen elementet që nuk i përgjigjen kohës; të zgjedhet pastaj modeli më i përshtatshëm, risitë e të cilit do të gjejnë zbatim praktik dhe do të japin rezultate në kushtet tona; asimtarët të trajnohen nga profesionistë të dëshmuar, që më pas do të kujdesen edhe për zbatimin praktik të risive…; të fillojë ngritja e shkollave të sh. XXI; t’i pajisim shkollat me laboratore, kabinete teknologjike, mjete bashkëkohore pune dhe me mësimdhënës që kanë: kompetencë profesionale (njohuri të pergjithshme, aftesi për të planifikuar, për kryerje efikase detyrash…); kompetencë pedagogjikedidaktike e metodike, që nënkupton: (respektimin e procedurave shkollore, përgatitjen e njësive mësimore, aftesinë për zgjidhjen e problemeve…) dhe kompetencë në pune – njohuri praktike, (aftësi për bashkëpunim, parime në punë, punë ekipore, ndjenjë përgjegjësie, njohje të teknologjisë…); të stimulohen mësuesit që do ta lidhin punën e shkollës me bizneset dhe prodhimin; do të nxisin punën kreative dhe ekipore të nxënësve; do t’i pajisin ata me vetëdije kulturore dhe me kompetenca shoqërore, qytetare, teknologjike e digjitale; do t’i aftësojnë të komunikojë në gjuhën amtare dhe të huaj; do ta bëjnë të aftë për mësim praktik dhe përdorim të teknologjisë në sferën e robotikës, animacionit, kodimit, programimit, energjisë solare…; të faktorizohet BZHA, si institucion që do t’u prijë reformave – Biroja për zhvillimin e arsimit ta ketë statusin e institutit, që krijon politika arsimore në bazë të hulumtimeve empirike; këshilltarët pedagogjikë të trajtohen si ekspertë, jo si punonjës të thjeshtë administrate; të kompletohet kuadri shqiptar me këshilltarë për gjithë lëndët mesimore të shkollës fillore dhe të mesme, në pajtim me standardet (1 këshilltar për 120 mësues të një lënde); të punësohen përkthyes dhe lektorë në njësitë ndërkomunale të Birosë, që, në disa segmente, duhet të gëzojnë autonomi veprimi; nga Ministria e arsimit të përfillen mendimet profesionale të këshilltarëve mbi cilësinë e teksteve shkollore…; të përgatiten programe dhe tekste të reja mësimore nga ekipe profesionistësh të lëndëve të caktuara dhe brenda afateve të arsyeshme për projekte të rëndësisë së veçantë; në veçanti meritojnë kujdes programet dhe tekstet për shkollat profesionale, që duhet të jenë në pajtim me tregun vendor dhe global të punës dhe të shkarkuara prej informacioneve të parëndësishme për nxënësit; programet e lëndëve me aromë etnie (Gjuhë shqipe dhe letërsi, Histori, Kulturë muzikore…) t’i përgatisin kuadrot shqiptarë etj., etj.

Kaq për sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button