Quesque tandem…

Gjatë ditëve të kaluara u publikuan vendimet e Gjykatës greke lidhur me refuzimin e ekstradimit për të ikurit Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski. Si që ishim informuar më herët, refuzimi i kërkesës për ekstradim u arsyetua me faktin që personi një herë i falur nga presidenti i shtetit nuk mund të “çfalet” dhe të jetë sërish subjekt i ndjekjes penale për veprën për të cilën është falur. Faljet skandaloze që Ivanov i dha para më shumë se dy vitesh vazhdojnë të krijojnë kokëçarje juridike si dhe të pamundësojnë ndjekjen efektive të të dyshuarve për vepra të rënda penаle me qëllim që të vendoset përfundimisht parimi i bartjes së përgjegjësisë penale pavarësisht funksionit shtetëror që dikush e ka. Jo rastësisht, edhe të akuzuar tjerë nga PSP tani thirren në këtë vendim të gjykatës greke dhe kërkojnë mbrojtjen e siguruar përmes faljeve të Ivanovit të cilat sot e kësaj dite për ta prodhojnë pasoja juridike.

Dhe gjithmonë është ashtu, gabimi i një institucioni shtetëror reflekton tek institucionet tjera ndërsa përfundimi është bartje e vështirësuar e përgjegjësisë penale. Në fakt ky ishte qëllimi që në fillim, që të akuzuarit e PSP të mbrohen me imunitetin që Ivanov ua dhuroi përmes faljeve që na sollën në të njëjtin nivel si shtetet e ngjashme me Vanuatun.

Po të lexohet me vëmendje vendimi i gjykatës greke, do të shihet që argumenti kryesor është se tërheqja e faljeve për Grujevskin dhe Boshkovskin është e pavlefshme. Ligji për ndryshim te Ligjit për falje i sjellë në Kuvendin e RM ne Maj të vitit 2016 krijoji bazë juridike që faljet të tërhiqen. Por ky ligj hyri në fuqi pasi faljet ishin sjellë. Ndër parimet kryesore të të drejtës penale është se ligji nuk mund të ketë veprim retroaktiv, pra nuk mund të vlejë për veprime të cilat janë bërë para sjelljes së ligjit. Ky në fakt është argumenti kryesor sipas gjykatës greke për shkak të të cilit ajo e konsideron tërheqjen e faljeve të paligjshme dhe konsideron që personat në fjalë vazhdojnë të jenë të falur. Vendimi thotë që ligji për tërheqjen e faljeve mund të vlejë për faljet e dhëna pas Majit 2016 por jo për ato të dhëna para datës së hyrjes në fuqi të ligjit.

Ajo që është problematike mbetet fakti që as gjykata greke dhe as ndonjë institucion tjetër në Maqedoni asnjëherë nuk e kontestoi vlefshmërinë e faljeve që në fillim – ab initio. Të gjithë ekspertët e kësaj fushe që kur u sollën faljet argumentuan se të njëjtat janë të pavlefshme pasi që bazohen në nen të ligjit i cili nuk ekziston. Kjo është e vërtetuar edhe nga Kushtetuta, edhe nga ligjet por edhe nga praktika e mëparshme e Gjykatës Kushtetuese. Por institucionet në Maqedoni dështuan në momentin kur duhej ta institucionalizonin këtë konstatim. Kështu, pas faljeve të Ivanovit, Gjykata Kushtuese nuk reagoi ndërsa Kuvendi i Maqedonisë në vend që me interpretim autentik të sqarojë se neni 11 i Ligjit të faljeve më nuk ekziston, te njëjtin e mbi-ndërtoi me nenin 11-a. Në këtë mënyrë Kuvendi duke dashur të krijojë bazë juridike për tërheqjen e faljeve ne fakt i institucionalizoi dhe i legalizoi faljet e pavlefshme të Ivanovit. Ky në fakt është gabimi i cili vazhdon të na sjellë shumë kokëçarje edhe tani.

Më e keqja është se Kuvendi ende nuk e shikon të arsyeshme të bëjë një ndryshim dhe plotësim te ligjit për falje dhe përfundimisht ta institucionalizoje faktin qe shefi i shtetit tani më nuk ka të drejtë të falë pa procedurë paraprake. Me konfuzionin dhe paqartësinë e krijuar, rreziku është që Ivanov sërish mund ta përdorë mundësinë për të dhënë falje të reja pasi edhe ato të kaluаrat vazhdojnë të prodhojnë pasoja juridike. Nuk ka për momentin asnjë veprim të shumicës parlamentare që këtë ta pamundësojë dhe ky qëndron si rrezik në ajër që kanoset ta mbarojë para kohe çdo procedurë gjyqësore kundër të akuzuarve të PSP. Quesque tandem abutere pazenziam nostram… deri kur, deri kur do te lejojmë që Ivanov të tallet me durimin tonë dhe të kryejë veprime të cilat nuk shkojnë vetëm në favor të të akuzuarve për krime të rënda por në disfavor të plotë të ardhmërisë së shtetit? UE ishte shumë e qartë lidhur me rekomandimin për të fituar datë për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë: tha që ne duhet të tregojmë se vërtet e ndjekim dhe e dënojmë kriminalitetin e lartë. Nëse institucionet tona e lënë të hapur mundësinë që Ivanov edhe më tej të falë pa procedurë paraprake, atëherë duhet ta kemi të qartë që ky kusht i vendosur nga UE vështire se do te realizohet.

Deri kur do e sakrifikojmë ardhmërinë tonë për tekat e Ivanovit dhe klikës qe atë e drejton? Mendoj se është koha e duhur që kjo shumicë parlamentare të tregojë qartazi që nuk do të tolerojë lojëra të mëtejshme dhe evitim të bartjes së përgjegjësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button