BALLKANASIT

Ballkani është i bukur, një hapësirë me katër stinë, me laramani kombëtare, gjuhësore, kulturore, religjioze. Në brigjet e tij lindi një art dhe filozofi e përjetshme. Ballkanasit e pëlqejnë epiken, por dhe lirikën e kanë të bukur.

Ballkani ka histori të ngatërruar: secili komb e ka versionin e vet të historisë. Heroi i njërit version, është patjetër barbari i versionit tjetër.

Në Ballkan e mira harrohet shpejt, kurse e keqja mbahet mend me shekuj dhe bëhet burim ligësish të reja.

Në Ballkan fëmijët i frikësojnë duke u folur për lugetër. Aty u besohet miteve dhe përrallave. Njerëzit besojnë në fantazma. Realiteti është magjik dhe i egër njëkohësisht. Ballkanasit janë të zgjuar dhe të krisur njëkohësisht. Aty ka bukuri dhe marrëzi të paimagjinueshme.

Ballkanasit janë europianë, por marrëzitë e kontinentit i bëjnë disa shekuj më vonë. Aty historia luajti çuditshëm tragjikomedinë e saj.

Ballkani është pjesë e Europës si territor, por i paragjykuar si mendësi. Ballkanin e quajnë “vend mashkullor”, “vend ku njerëzit nuk mund të jetojnë pa luftë”, ku “mentaliteti nuk është kompatibil me atë të pjesës tjetër europiane”. Ballkanasit paragjykohen, por edhe ballkanasit janë paragjykues. Ata besojnë se janë më të mirë prej të tjerëve dhe njëkohësisht janë vetëshkatërrues.

Ballkanasit i duan meritat, por nuk e pranojnë fajin. Ata u dalin zot veprave të mira edhe kur nuk kanë asnjë meritë. Ballkanasit ankohen bukur e bindshëm dhe janë mjeshtër për t’i përligjur dështimet apo prapësitë e tyre.

Në Ballkan është e pranishme ndjenja e viktimës. Politikanët nuk bëjnë përjashtim. Për t’i ikur përgjegjësisë shfaqen viktima. I fajësojnë të tjerët për dështimet e tyre. Meritat për suksese nuk i ndajnë me askënd tjetër. Në Ballkan, kur njerëzit mburren për guxim, mungon guximi për përballje me dështimin. Ballkanasit ngurojnë ta njohin realitetin, prandaj nuk mund ta ndryshojnë atë.

Popujt e Ballkanit janë adhurues të teorive të konspiracionit. Besojnë se e keqja u gatuhet nëpër kuzhina fuqish të mëdha dhe popujsh fqinj (që edhe ndodh), por nuk e fajësojnë veten për të keqen e ndodhur.

Në Ballkan urat në vend se të bashkojnë, i ndajnë brigjet. Ballkanasit dinë të rrënojnë ura. Shkrimtari serb, Ivo Andriq, thotë: “Mos i rrëno pra të gjithë urat, ndoshta do të kthehesh”. E bukur si letërsi, por autori i vargjeve është autor i një projekti për shfarosje kombesh.

Ballkanasit janë dhe egocentrikë dhe euforikë, mjafton t’i prekësh në tel. Se sa vuajnë nga ndjenja e viktimës mund të marrim disa shembuj: serbët ankohen se bota i urren, kurse burimi i armiqësisë, sipas tyre, është se ata qenkan “popull i zgjuar”, “guximtar”, “superior”, “me dinjitet”, “hyjnor”, “i zgjedhur”. Politika e tyre është e fiksuar për dalje në det, prandaj kanë përligjur çdo gjë për realizimin e këtij synimi. Kjo politikë e ka kërkuar të mirën për vete, në dëm të të tjerëve. Politikës serbe përherë i ka munguar shpirti i solidaritetit dhe vazhdon t’i mungojë, prandaj e ka të vështirë afrimin me Europën.

Maqedonasit besojnë se rrezikohen nga “armiqtë e brendshëm” dhe “të jashtëm”; se bota u thur intriga, prandaj i shohin me dyshim edhe ata që tregohen të sinqertë ndaj tyre.

Edhe shqiptarët dinë t’i fajësojnë të tjerët për dështimet e tyre. Duan ta përligjin gjendjen e tanishme duke iu referuar padrejtësive historike, edhe pse pranimi i robërisë, sipas Branko Merxhanit, është shenjë dobësie. Politikanët shqiptarë, gjithashtu, janë mjeshtër të lojës së të qenit viktimë.

Popujt e Ballkanit presin shfaqjen e armiqve në Shkretëtirën e Tartarëve, si te romani i Dino Buxatit, por dëshpërohen kur nuk vijnë barbarët, që janë njëfarë zgjidhje, si te poezia “Duke pritur barbarët” e grekut Kavafis. Ballkanasit e thjeshtë kanë vuajtur nga konfliktet e shumta, kurse prijësit e tyre kanë përfituar në vazhdimësi. Prijësit ballkanas nuk kanë asnjë faj. Fajet gjithmonë i kanë të tjerët.

Ballkani, përkundër marrëzive, është i bukur. Edhe ballkanasit janë të zgjuar. E keqja e tyre është se nuk ndjehen fajtorë për asgjë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button