Mikologët maqedonas gjetën në Kosovë një kërpudhë ekstremisht të rrallë

Zeus Olympius, një lloj kërpudhe e njohur vetëm nga dy vende të tjera tani është gjetur në Kosovë nga një ekip mikologësh maqedonas, bën të ditur Shoqata e Mikologëve të Maqedonisë, njofton Koha.net.

Në pranverë të këtij viti, kërpudha u vërejt në një stacion në Prevallë brenda Parkut Kombëtar të malit Sharr, në një lartësi prej rreth 1.600 metrash. Kjo është një zonë e pyjeve të paprekura natyrore të pishës boshnjake (Pinus leucodermis), që është një pishë endemike ballkanike. Zeus Olympius u gjet për herë të parë në vitin 1986 në malin Olimp në Greqi, ndërsa në vitin 2012 ajo u gjet në malin Pirin në Bullgari.

Trupat frutorë të kërpudhës janë fillimisht lëvozhga të zeza rrethore që paraqiten poshtë kores. Kur të piqet, trupi frutor çan tej kores, ndërsa lëvozhga ndahet në dhëmbëza të vegjël të zi që mbulojnë një disk ngjyrë të portokalltë në të artë me dimensione prej 0.2–5 mm në diametër. Ajo rritet në grupe të vogla mbi pjesë të vdekura të degëve të vogla të pishës boshnjake. Lloji është pjesë e Global Fungal Red List Initiative (Nisma e Listës së Kuqe Globale Kërpudhore), në të cilën ajo është cilësuar si “potencialisht e rrezikuar në mënyrë kritike”. Të dhënat për Kosovën tashmë janë inkorporuar në bazën e të dhënave të Nismës së Listës së Kuqe Globale Kërpudhore.

Kërpudha u gjet dhe u përcaktua nga një ekip i udhëhequr nga prof. Mitko Karadelev nga Fakulteti i Shkencave Natyrore në Shkup, në kuadër të projektit të tyre të pashembullt ”Kërpudhat e Kosovës: Krijimi i Listës Kontrolluese dhe i Listës Preliminare të Kuqe dhe Propozimi i Zonave të Rëndësishme Kërpudhore.” Kohëzgjatja e projektit është 1 mars 2017 – 31 gusht 2018, ndërsa financohet nga fondacioni Rufford nga Anglia. Ekipi mbështetet në përvojën e tij të listës së kuqe të fituar gjatë një projekti të ngjashëm konservacionist, të implementuar në Maqedoni dhe Shqipëri viteve të fundit.

Deri më tani, kërpudhat e Kosovës mezi që kanë qenë të studjuara dhe vetëm ca të dhëna zyrtare kanë qenë në dispozicion. Projekti ka prodhuar të dhëna mbi 380 llojesh të ndryshme, do të thotë 769 tekste të të dhënave mbi kërpudhat, të përfshira në një bazë të dhënash online posaçërisht të krijuar Fungi of Kosovo (Kërpudhat e Kosovës). Lista, e përgatitur në linjë me kriteret e IUCN-së, do të jetë një themel për përpilimin e një Liste Zyrtare të Kuqe të Kërpudhave dhe përgatitjen e legjislacionit për mbrojtjen e kërpudhave. Zonat e rëndësishme kërpudhore janë identifikuar në bazë të pranisë së llojeve të rralla dhe të rrezikuara, të bollëkut dhe të rëndësisë mikologjike të mjedisit jetësor. Lista dhe zonat e rëndësishme kërpudhore do të jenë kyçe për konservimin e kërpudhave, duke pasur parasysh kërcënimet madhore, siç janë eksploatimi i tepruar, fragmentimi dhe shkatërrimi i habitateve kërpudhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button