Mes tingujsh muzike dhe zëra fëmijësh, në Shkup u shfaq premiera “Përralla postare” (VIDEO)

Mes zërash fëmijësh që në vazhdimësi shoqëronin lojën e aktorëve, tingujve të muzikës ritmike, improvizimeve në skenë, dhe ecjes nga njëri kënd i botës, në tjetrin, vetëm e vetëm për të dërguar postën të mbushur plot fjalë dashurie, në Qendrën Teatrore për Fëmijë, u dha premiera e shfaqjes “Përralla postare”, transmeton Portalb.mk.

“Përralla postare” është shfaqja e parë që vjen në skenë nga institucioni Lokal Publik Teatri për fëmijë – Çair, themelues i të cilit është Bajrush Mjaku, i cili u shpreh i kënaqur nga mënyra e realizimit.

Premiera "Përralla postare"
Premiera “Përralla postare”

Shfaqja që nis me fillimet në postieri të një djaloshi, që me dyshimet e tija të punës së parë, has në pengesën – mungesën e manshetës së postës, vendos që të dorëzohet nga puna. Mirëpo, i nxitur përbajtja e postës, e mbushur me fjalë dashurie, vendosi që të mos dorëzohet, dhe ta gjejë manshetën – për të bashkuar dy të dashurit.

Ai shkon në Nju Jork, në Egjipt e Venedik, me varkë e me ski, për t’u përballur më pas me erërat e fuqishme të Lumit Nil, të cilat e hedhin pikërisht në veturën e mashkullit që e kishte dërguar postën. Dhe pasi të kuptojnë se janë ata dy që po kërkojnë që sa kohë, vendosin që postën ta dërgojnë bashkërisht.

I gjithë mesazhi i shfaqjes u dha nëpërmjet zërave të hareshëm, herë herë dëshpërues dhe lojës prej fëmijësh, të aktorëve, absolventëve të aktrimit: Eldin Shiroki “Kolbaba”; Mentor Kurti “Postieri II”, “Shkrutabiqi II” dhe “Krokodili”; Dea Pajazit “Postieri III”, “Shkrutabiqi III” dhe “Marzhenka” si dhe Flakron Aliu “Postieri IV”, “Shkrutabiqi I”, “Frantiku”.

Premiera "Përralla postare"
Premiera “Përralla postare”

Eldin Shiroki “Përrallën postare” e kishte shfaqjen e parë për për fëmijë që e luajti, dhe vlerësoi se fëmijët janë publiku më i sinqertë.

“Kjo është hera ime e parë që marrë pjesë në shfaqje për fëmijë. Është ndjenjë shumë e veçantë, sepse fëmijët janë publiku më i sinqertë, dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë. Besoj se do të luaj edhe në shumë të tjera”, u shpreh pas shfaqjes Shiroka.

Ndërkaq Flakron Aliu tha se puna për fëmijë është kënaqësi, pasi që ata reagojnë menjëherë dhe ta shtojnë vullnetin për punë në skenë.

“Kjo është shfaqja ime e parë që e realizoj në këtë teatër. Na ka pëlqyer shumë si shfaqje. Jemi munduar shumë, pasi që përvoja të punosh për fëmijë është shumë e mirë. Fëmijët janë më të sinqertë, dhe reagojnë menjëherë. Të qeshurat, ngritjet në këmbë, na stimulon, na jep vullnet dhe na i hap dyert për punë. Unë kur punoj me fëmijë, kënaqem shumë”, tha Aliu.

 

Shfaqja “Përralla postare” për autor ka Karell Çapek, adaptimi dhe regjia u bë nga Katja Petrova.

Në shfaqje kishte edhe kukulla, të cilat manipuloheshin aty për aty nga aktorët e lartpërmendur, nëpërmjet lëvizjeve dhe zërave, e për të cilat ishte kujdesur Enes Deari dhe Ines Golja.

Për skenën ishte përkujdesur Kërste S. Xhidrov, muzikën Svetozar Georgiev e ndërkaq shfaqje në shqip u përkthye nga Besfort Idrizi.

“Përralla postare” është kundërpeshë e teknologjisë moderne, pa të cilën nuk mundemi, por e cila ndikon në tjetërsimin dhe largimin e njerëzve nga njëri – tjetri. Bashkë me kompjuterët, mirë është që t’i ruajmë traditat më të mira të komunikimit. Miqësia dhe dashuria janë kategori të vlefshme morale që duhet t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë te fëmijët.

Premiera "Përralla postare"
Premiera “Përralla postare”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button