Kosova do të ketë sukses në rrugën drejt integrimeve euroatlantike (VIDEO)

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, ka theksuar se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese duke shtuar se kjo do të varet nga qeveria dhe lidershipi kosovar që të gjejë rrugët e duhura, raporton Anadolu Agency (AA).

Alli, i cili ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare është takuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Alli në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Haradinaj theksoi se NATO do të vazhdojë të mbetet e angazhuar për Kosovën.

“Ne mendojmë se Ballkani Perëndimor është pjesë esenciale e Evropës dhe Evropa nuk është e kompletuar pa Ballkanin Perëndimor. Ne i mbështesim përpjekjet e Kosovës në reformat e nevojshme për anëtarësim në BE dhe NATO. Ne e shohim se ka shumë progres në këtë drejtim, por edhe ende punë për të bërë veçanërisht sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, tha Alli.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s shprehu besimin se Kosova do të ketë sukses në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Ai po ashtu nënvizoi se misioni i KFOR-it nuk është tërhequr nga angazhimi për Kosovën. Ndërsa prezenca e NATO-s në Kosovë sipas tij është tregues i punës që NATO ka bërë në të kaluarën për sigurinë stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ai foli edhe lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri ku tha se: “Transformimi duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese. Kjo varet nga qeveria dhe lidershipi juaj i cili duhet të gjejë rrugët e duhura dhe negociatat janë duke vazhduar edhe në nivelin evropian. NATO nuk është tërhequr nga angazhimi i saj për Kosovën”.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj theksoi se perspektivën e Kosovës por edhe të rajonit e sheh në paqen e përjetshme të NATO-s. “Ne e mirëpresim prezencën e KFOR-it në Kosovë dhe ne këtë prezencë e konsiderojnë si permanente. Kjo prezencë është e respektuar mjaft edhe nga qytetarët e Kosovës. Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri ne do të bëjmë më të mirën në këtë aspekt që të tregojmë se jemi të përgjegjshëm karshi partnerëve tanë. Kjo do të jetë një zgjidhje dhe do të bëhet në mënyrë të përgjegjshme”, tha Haradinaj.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është pritur nga presidenti i vendit, Hashim Thaci dhe ka zhvilluar një takim edhe në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button