METAMORFOZA SHQIPTARE

Njerëzit e moshës sime e kanë shijuar katrahurën e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, kur u vampirizua millosheviqizmi dhe gjysma e shqiptarëve u gjend në udhëkryqin e dy mundësive: pajtimit me robërinë ose hyrjes në luftë për jetë a vdekje me armiqtë e përbetuar të racës së tyre. Alternativa e parë nënkuptonte asimilimin dhe shkrirjen e dhunshme në detin sllav, kurse e dyta sakrificën kombëtare dhe shpresën e fitimit të lirisë së ëndërruar prej prindërve dhe gjyshërve tanë.

Të mëpastajmen e dinë dhe brezat e mëvonshëm: u bënë tri luftëra të përgjakshme…, njëra prej të cilave rezultoi me Kosovën shtet me pavarësi të brishtë…, kurse dy të tjerat me marrëveshje të monitoruara nga faktori ndërkombëtar, që garantuan lirinë e plotë të shqiptarëve në territoret e tyre etnike, po që nuk u përmbyllën me kohë për shkak të paaftësisë dhe sindromit tonë vetëshkatërrues dhe për shkak të politikave të mirënjohura albanofobe.

Kur kthen njeriu kokën prapa dhe kujton kohërat në fjalë i imponohen vetvetishëm një mori pyetjesh, përgjigjet e të cilave duken të pebesueshme, madje absurde, sepse mendja e esëllt e ka të vështirë ta kuptojë këtë që ia bëjmë vetvetes, sepse nuk ekziston edhe një etni tjetër si kjo fatzeza jonë, bijtë e së cilës tjetërsohen kaq shpejt dhe kaq unikatshëm në atë që nuk kanë qenë e nuk mund të jenë, atëherë kur janë të lirë të përparojnë e të zënë hapin me botën e qytetëruar.

Në vitet e ’80-ta, fjala vjen, kur trysnia mbi kurrizin tonë preku kufijtë e gjenocidit; kur burgjet qenë mbushur ding me të rinj shqiptarë, të dënuar vetëm për shkak se luftonin për të drejtat e mohuara individuale e kolektive; kur ditëpërditshëm vritej rinia e revoltuar studentore; kur helmohej me gazra lufte ardhmëria jonë; kur përjashtoheshin nga puna kuadrot me bosht kurrizi; kur dyert e shpërnguljes nga toka e të parëve i bëri të pashmangshme mesjeta; kur shërbëtorët dhe mashat e sistemit të hurit e litarit ndiqnin zagarshëm njerëzit me kod etnie; kur mbylleshin institucione arsimore e kulturore; kur eksploatohej djersa e minatorëve, bujqëve dhe blegtorëve shqiptarë; kur ne, MË SHUMË SE SOT: ishim bashkë si ato thuprat e fabulës, ishim brenda istikamit tonë, i njihnim miqtë dhe armiqtë, i njohnim aleatët dhe persekutorët, i përbuznim peshqeshet e danajve, kishim një ëndërr të përbashkët, kishim kod etnie, kishim vetëdije politike, kishim unitet brendashqiptar, kishim dashni për vendin tonë, kishim dashni për kombin, kishim respekt për gjuhën e përebashkët dhe e kultivonim me dashuri atë, kishim respekt për personalitetet e së shkuarës dhe heronjtë e shpirtit e vatanit, kishim zjarrin e emancipimit, kishim vetëdijen e kushjam-it, kishim gatishmërinë e sakrificës dalëzotëse të dinjitetit, kishim dëshirë të jetojmë e të vdesim ku na ka rënur koka dhe, më e rëndësishmja: kishim respektin për mbretin e mbretërve – MËSUESIN, të cilit, në gjendje plastelini, ia besojmë për t’u dhënë formë NJERIU më të shenjtët që kemi – fëmijët dhe nipërit tanë.

Mund të më quani injorant, po unë do vdes me bindjen se katandisja dhe metamorfoza jonë (këtë e kam kuptuar që më 1991…) zuri fill në momentin kur zuzarët shqipfolës emrin MËSUES, nisën ta shoqërojnë me shprehjen: “me nder me thënë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button