Ademi: autorësia e PDSH-së për ‘Shkupin 2014’ është e dokumentuar

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të djeshme të Partisë Demokratike Shqiptare se leja për përmendoren e Skënderbeut është dhënë nga ana e PDSH-së më datë 23 Nëntor 2006, kur ata kanë bashkë qeverisur me VMRO-DPMNE-në. 

BDI dhe shqiptarët në Maqedoni janë të indinjuar nga patriotizmi i rrejshëm i PDSHsë, veprimet e së cilës tradicionalisht i kanë sjell dëm shqiptarëve, tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi.  Ademi hodhi poshtë deklaratën e deputetit të PDSH-së Bekim Fazliu se BDI është fajtore për ngritjen e përmendoreve të projektit ‘Shkupi 2014’.

‘Shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë uzurpimin 16 muajsh të institucioneve shtetërore të PDSHsë, pa vullnetin e shqiptarëve, uzurpim që solli moratorium për çështjet etnike, mosnjohjen e Kosovës, instalimin e regjimit me viza me Shqipërinë, respektimin e marrëveshjes Serbi – Maqedoni mbi kufirin e Kosovës, mosrealizimin e demarkacionit, abrogimin e Ligjit për Flamur, inferioritetin dhe servilitetin ekstrem, gërmimet politike në Kalanë e Shkupit dhe shumë padrejtësi institucionale ndaj shqiptarëve’, tha Ademi.

Ademi tha se dëshmi shtesë se autor ekskluziv të projektit Shkupi 2014, është PDSH-ja është edhe deklarata e nënkryetarit të  PDSH-së, Iljaz Halimit më 11 shkurt të vitit 2010, i cili uroi që të ndërtohen edhe më shumë kisha, duke thënë se  ‘mua më së paku mund të më pengojë të ndërtohet kishë, inshalla edhe tre kisha tjera le t’i ndërtojnë në sheshin e Shkupit”  citoi Ademi, deklaratën e Halimit, duke konfirmuar vendimin e marrë nga ana e PDSH-së për ndërtimin e kishës ortodokse mbi shtëpinë e lindjes së Nënës Terezë.

Ademi tha se autor ekskluziv i proektit Shkupi 2014 është PDSH-ja gjatë drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga Arifhikmet Xhemaili, duke prezantuar edhe dokumentet me nënshkrimin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button